Prag Kili/ Trajneri Silvinjo dhe kapiteni Gjimshiti: Nuk është miqësore për ne

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe kapiteni i skudrës, Berat Gjimshiti dolën pasditen e kësaj të enjteje në konferencën zyrtare për media, në prag të ndeshjes miqësore që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Kilit në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, në ora 20:45.

Ashtu siç e ka theksuar edhe në konferencën përpara grumbullimit të Kombëtares, trajneri Silvinjo u shpreh se nuk e konsideron miqësore takimin ndaj Kilit nesër apo edhe atë ndaj Suedisë të hënën. Tekniku kuqezi vlerësoi maksimalisht skuadrën e Kilit, që ka marrë pjesë disa herë në fazën finale të kampionatit botëror. Ndër të tjera, trajneri i pankinës kuqezi foli edhe për mundësinë nëse Broja dhe Manaj mund të luajnë bashkë, ndërsa theksoi se ky është momenti më i mirë për të parë të gjithë lojtarët, jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshjet ndaj Kilit e Suedisë.

Një ndeshje që ndoshta ju kthen nostalgjinë e përballjeve Amerikano-Jugore? – Nesër do të ketë një stadium plot me tifozë shqiptarë dhe do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Aktualisht ne nuk po mendojmë për “Euro 2024”, na pret puna. Lojtarët flasin vetëm për dy ndeshjet miqësore me Kilin dhe Suedinë, dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe të vështira. Ne e kemi thënë shpesh që nuk ka miqësore, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Kemi sfidën me Kilin që ka emra të rëndësishëm në skuadër si Alexis Sanchez, Diaz, Vargas apo Perez që është një lojtar i ri. Mos të harrojmë që Kili është një skuadër që ka marrë pjesë 9 herë më finalet e Botërorit dhe ka kaluar 3 herë në fazën çerekfinale. Është skuadër që është mësuar të luajë me ekipe të mëdha si Brazili, Italia, Anglia. Për mua si amerikano-latin kjo ndeshje është e veçantë dhe sigurisht do të jetë një ndjesi e bukur, po me Shqipërinë është diçka ndryshe.

Manaj &  Broja, a mund të luajnë të dy në ekipin e Silvinjos? – Ky është një moment shumë i veçantë, qoftë për ne si staf, por edhe për lojtarët. Manaj dhe Hoxha vijnë për herë të parë në grumbullim me këtë staf në kombëtare. Broja vjen për herë të dytë, pavarësisht se herën e parë nuk kemi pasur mundësinë ta shohim plotësisht. Edhe Muçollin nuk e kemi testuar si duhet dhe edhe ai mund të quhet një prurje deri diku e re. Kemi thirrur edhe portierin Alen Sherri duke qenë se Berisha ka pasur probleme. Në futboll mund të ndodhë gjithçka dhe mund të luash në çdo lloj mënyre. Nuk mund të thuash kurrë në futboll që kjo nuk mund të ndodhë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll. Përgjigjja ime direkte është PO. Manaj dhe Broja janë dy lojtarë që mund të luajnë në një formacion, sepse kanë karakteristika të ndryshme.

Lista e Europianit, sa rrezikojnë lojtarët që nuk janë grumbulluar? – Ky është momenti për të menduar për Kilin dhe Suedinë, jo për Europianin. Jo vetëm unë por edhe stafi teknik, Federata të gjithë jemi të fokusuar vetëm në këto dy ndeshje miqësore dhe nuk jemi duke menduar aspak për finalet e Europianit. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme që unë nuk i konsideroj si miqësore. Luajmë me Kilin dhe Suedinë skuadra shumë të forta dhe vijnë në këto ndeshje me dy trajnerë të rinj që kanë uri dhe pritshmëri. Është moment i mirë për të vlerësuar lojtarët për t’i vëzhguar jo vetëm në ndeshje por edhe në stërvitje, për të bërë zgjidhjet më të mira dhe të kuptojmë si është situata e gjithsecilit. Këtë herë mungon Muja, Gjasula, Daku, lojtarë shumë të mirë që kanë dhënë kontribut shumë të madh. Nuk janë këtë herë, por nuk do të thotë që nuk do të jenë pjesë e skuadrës në të ardhmen, janë gjithmonë aty. Në këtë çast nuk mendoj fare për listën e Europianit.

Eksperienca që kam pasur me Brazilin? Kam qenë një nga asistentët e trajnerit Tite në vitin 2016 deri në vitin 2019, ku kam marrë pjesë edhe në Botërorin 2018. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe fakti që kam punuar me një Kombëtare më ka motivuar dhe më ka shtyrë që unë të punoj me një ekip kombëtar. Besoj se kemi bërë shumë paraqitje të bukura me Brazilin dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Të punosh me një kombëtare është ndryshe nga si punohet me klubet. Në Kombëtare dera është e hapur gjithmonë dhe ka lojtarë që vijnë e ikin. Në klub punohet ndryshe. Nuk mund të flas për pjesën e situatës që çdo lojtar ka me klubet e tyre. Do të doja që ata të luanin sa më shumë. Puna ime është të vëzhgoj, të analizoj se si paraqitet gjithësecili dhe shpresoj që ata të aktivizohen sa më shumë. Sa i përket eksperiencsës me Mancinin, ai është një trajner fitues dhe personalitet në botën e futbollit.

Kili? – Pres një ekip shumë të motivuar. Edhe ne duhet të tregojmë eksperiencën tonë duke luajtur me ekipe të tilla si Kili, që janë mësuar të luajnë në nivele të larta. Është hera e dytë për ne që shkojmë në një Europian.

Berat Gjimshiti, në prag të miqësores me Kilin, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe u shpreh i kënaqur që në këtë duel do të kenë mbështetjen e tifozëve shqiptarë në “Ennio Tardini”. Kapiteni kuqezi theksoi se me Kilin nuk është thjesht miqësore, ndërkohë që komentoi edhe kundërshtarët ne “Euro 2024”.

Cilësia e Kilit në portë dhe sulm -Besoj jo vetëm në portë dhe sulm, por në gjithë skuadrën kanë cilësi. Janë një kombëtare që gjithmonë kanë qenë në Botëror ose në Copa America të kualifikuar. Do jetë një test shumë i rëndësishëm për ne, pasi nuk jemi mësuar të luajmë me kombëtare të tilla. Ditët e sotme nuk ka më miqësore dhe mendoj se do i japim shumë vëmendje kësaj ndeshjeje dhe ta përballojmë me 100%.

Mungon Ismajli, por rikthehet Kumbulla? – Nuk janë vetëm Ismajli dhe Kumbulla, janë edhe Mihaj e Veseli këtu. Vendos trajneri kush do të luajë, nuk është problem, flasim të njëjtën gjuhë. Kemi shumë kohë bashkë në Kombëtare dhe nuk besoj që do te jetë problem.

Rëndësia e aspektit mbrojtës në Kombëtare? – Aspekti mbrojtës ka rëndësi po aq sa ai sulmues. Të dyja gjërat janë të rëndësishme, kështu që më e rëndësishme është që i gjithë ekipi të punojë bashkë, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në fazën sulmuese. Nuk është vetëm mbrojtja që mbron, por është i gjithë ekipi. Ashtu siç nuk është vetëm sulmi që sulmon, do jetë i gjithë ekipi që e ndihmon të shënojë gol. Kështu që janë sy aspekte të rëndëishme në këto miqësore.

Shqiptarët në Itali – Është diçka që na shtyn më shumë ne që luajmë në Itali. Jemi disa lojtarë që luajmë në Itali dhe e dimë si është futbolli këtu. Këtu ka shumë shqiptarë që do të na përkrahin nesër. Do jetë diçka shumë e bukur të shohësh ata shqiptarë që janë edhe në vende jashtë Shqipërisë të na ndihmojnë.

Grupi në Europian – Sigurisht që Italia është një kombëtare që ka historinë e vet, janë pothuajse gjithmonë në Europian e Botëror. Gjithsesi në futboll gjithçka është e mundur. Kemi një frymë jashtëzakonisht të mirë në skuadër, kemi lojtarë me cilësi. I gjithë ekipi është në rrugën e duhur dhe pse jo, pse të mos bëjmë surprizë në Europian. Në këtë moment nuk e kemi shumë mendjen te Europiani, kemi një herë këto dy miqësore që janë shumë të vështira. Pastaj kemi kohë të mendojmë për Europianin. Nuk është se kemi shumë frikë, por duhet të kemi respekt sepse janë kombëtare të mëdha, siç është Itali apo edhe ekipet e tjera në grupin e Europianit.

Si ndalohet Alexis Sanchez – Ka bërë një karrierë për t’u respektuar, me ekipe të mëdha, jo vetëm tek Interi. Është një lojtarë me shumë cilësi, i nivelit botëror. Duhet ndihma e ekipit për ta ndalur, vetëm një lojtar nuk mund ta ndalë. Është forca e ekipit që duhet ta ndalë gjithë ekipin e Kilit, jo vetëm një lojtar. Një lojtar nuk mund ta bëjë diferencën i vetëm.

Një Europian në Shqipëri? – Për popullin shqiptar do të ishte diçka shumë e bukur të prisnim një Europian apo Botëror. Kohët e fundit po ndërtohet gjithçka në Shqipëri për zhvillimin e futbollit. Është hap i rëndësishëm për të gjithë lojtarët, për të rinjtë. Për gjëra të tjera mund të flasë më shumë Presidenti Duka, i cili i di më mirë se ne gjërat.

Zhvillimi i kampionatit shqiptar? – E thashë edhe më parë, që është zhvilluar futbolli në Shqipëri. Është parë edhe kur ka pasur në grupet e Europa League dhe Conference League ekipe shqiptare. Nuk është e thjeshtë, shumë lojatrë kanë talent, por duhet shumë punë, nuk mjafton vetëm talenti. Shpresoj dhe besoj se do bëhen të rinj më të mirë se ne në këtë moment, që ta çojnë Shqipërinë edhe më lart. Kjo është e rëndësishme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!