‘Manita’ e Tiranës ndaj Egnatias kryesuese, bardheblutë mbyllin si…kampionë

Abissnet Superiore, Java 18:
Egnatia – Tirana 0-5 (Haxhiu 25′, 74′, Latifi 68′, 87′, Abazaj 82′)

Kampionët e dimrit e mbyllin vitin 2023 me një humbje të thellë dhe turpëruese në shtëpi. Java e 18-të Abissnet Superiore i solli Tiranës fitoren e shumëpritur përballë një nga ekipeve më në formë të këtij kampionati.

Në kufijtë e së barabartës loja e zhvilluar deri në minutën e 25′-të të takimit kur Haxhiu gjeti rrjetën e Sherrit dhe kaloi në avantazh bardheblutë, të cilët u duk se morën më pas drejtimin e këtij dueli.

Pavarësisht disa përpjekjeve jo fort të qarta nga ana e rrogozhinasve, kryeqytetasit ia dolën më së miri të administronin avantazhin, si dhe ta thellonin atë. Pas daljes me të kuq të Aleksit për një ndërhyrje të gabuar ndaj Latifit, Tirana nuk kursehet dhe “dhunon” pa mëshirë të zotët e shtëpisë.

Fillimisht është kombinimi i Lushkjas dhe Latifit që konkretizohet me gol nga ky i fundit, e më pas Haxhiu shënon të dytin personal në këtë përballje duke likuiduar kështu fitoren. Nuk mungon as goli i Abazajt në fund i cili pas verifikimit nga VAR konfirmohet i rregullt. Qershinë mbi tortë e vendos Latifi me të pestën dhe të fundit shuplakë për Egantian.

Një mbyllje viti jo e denjë për kampionët e dimrit që kanë grumbulluar 37 pikë deri më tani, ndërsa Tirana merr një 3-pikësh të çmuar që e fikson në vendin e tretë me 26 pikë./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!