Vllaznia 5 gola, Dinamo shkëlqen në “shtëpi”

Tripletë e Grudës, Balaj goli i 11-të, Teuta 10 ndeshje pa fitore

Abissnet Superiore, Java 18:
Teuta – Dinamo 1-2 (Daci 35’/ L. Vila 13′, 43′)
Vllaznia – Skënderbeu 5-0 (Gruda 29′, 49′, 79′, Balaj 75′, Frashëri 90’+2′ Ag)

Java e fundit e kësaj faze të dytë si dhe xhiroja e fundit futbollistike për vitin 2023 ngriti siparin me 2 përballjet e rezervuara për këtë të premte. 8 gola për t’u shijuar nga tifozët dhe dy 3-pikësha si dhuratë për dinamovitët e shkodranët.

Në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta dhe Dinamo zhvilluan një duel mjaft të luftuar ku fitues dolën kryeqytetasit me Lorenco Vilën që “shfryu” ndaj ish-skuadrës së tij. Pjesë e parë spektakolare ku u regjistruan 3 gola, 2 me firmën e Vilës dhe ai i Dacit për Teutën.

Qetësi në pjesën e mbetur të lojës ku shifrat nuk ndryshojnë me Teutën që kujtohet të shënojë në fund por festa prishet nga një pozicion jashtë loje. Durrsakët e mbyllin vitin në fund me vetëm 16 pikë, ndërsa Dinamo ngjitet e pesta me 22 të tilla.

Në Shkodër, Ildi Gruda rrëmbeu skenën me tripletën e shënuar ndaj Skënderbeut. Në vijim Balaj goli i 11 sezonal dhe Frashëri (autogol) shënuan për t’i dhënë shuplakën e fundit korçarëve që në këtë përballje pësuan dhe humbjen më të thellë të sezonit.

Kjo fitore e pozicionon Vllazninë të tretën në renditje me 26 pikë, ndërsa Skënderbeu nuk lëviz nga vendi i gjashtë, në kuotën e 22 pikëve./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!