Suarez bën ‘Barçën e vogël’ te Inter Majemi

Sulmuesi legjendar uruguaian, Luis Suarez (36) ka nënshkruar një kontratë me Inter Majemi, njoftoi sot klubi i MLS (Major League Soccer).

Kështu, uruguaiani do të ribashkohet me ish-shokët e skuadrës nga Barcelona, ​​Lionel Mesi, Serxhio Buskets dhe Zhordi Alba, me të cilët ndau dhomën e zhveshjes në Camp Nou për gjashtë vite.

“Jam i lumtur dhe i emocionuar që pranoj një sfidë të re me Interin. Mezi pres fillimin e sezonit, jam gati të punoj shumë për të arritur ëndrrën për të fituar titullin me këtë klub të madh”, tha Suarez për faqen e klubit pas nënshkrimit të kontratës deri në fund të vitit 2024.

Uruguaiani vjen në MLS nga skuadra braziliane Gremio, ku shënoi 26 gola dhe regjistroi 17 asistime në të gjitha garat, duke e çuar skuadrën në dy trofe këtë vit.

Gjatë karrierës së tij, veç Barçës ai ka luajtur edhe për Nacional, Groningen, Ajaks, Liverpul dhe Atletiko Madrid.

Në total, ka shnuar më shumë se 500 gola për klubin dhe kombëtaren në një karrierë që përfshin pothuajse dy dekada.

Ai bëri 138 paraqitje për kombëtaren dhe shënoi 68 gola rekord.

“Jemi të kënaqur që një lojtar me cilësinë dhe pasionin e Luisit për lojën i është bashkuar klubit tonë. Ai i bashkohet një skuadre që po frymëzon gjeneratën e ardhshme dhe ne mezi presim ta shohim në fushë me ish-shokët e skuadrës dhe lojtarët e rinj nga Akademia jonë”, tha bashkëpronari i Interit, Devid Bekam.

Inter fitoi Kupën e Ligës në 2023 pas ardhjes së Mesit, por nuk u kualifikua në play-off të Kupës MLS.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!