“Më të mirët 2023”, ja cilët janë të nominuarit për çmimet e FSHF-së

Mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit “Më të Mirët 2023” do të jetë momenti kulmor i një viti special ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit, djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e lojës.

FSHF ka përgatitur gjithçka në detaje për një mbrëmje festive e pasur edhe me program artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe Kombëtares kuqezi që mbylli një edicion fantastik kualifikues, me objektivin e arritur finalet e Europianit “Gjermani2024”.

Në këtë mbrëmje, e kthyer tashmë në një traditë nga FSHF nuk do të mungojnë edhe të ftuar special, personalitete ndërkombëtare, figura të mëdha futbolli, përfaqësues nga bota akademike, ajo politike, e artit, medias dhe kolegë e miq të Federatave të tjera.

Fituesit e çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar pas një procesi të gjatë e transparent votimi të udhëhequr nga FSHF e që ka nisur prej kohësh.

Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim edhe me të nominuarit për çdo kategori. Për çmimin “Topi i Artë 2023” të nominuarit janë: Arinaldo Rrapaj, Florent Hasani dhe Bekim Balaj, ndërsa për “Topin e Artë 2023” për vajza finalistet janë: Valentina Troka, Ezmiralda Franja dhe Megi Doçi.

Dy trofetë ‘Këpuca e Artë 2023’ për djem dhe vajza do të shkojnë për golashënuesit më të mirë të vitit, ndërsa për çmimin “Trajneri i Vitit 2023” kandidaturat janë: Mirel Josa, Orges Shehi dhe Edlir Tetova.

“Talenti i Vitit 2023” do të shpallet njëri mes Ledjo Tresës, Ergis Arifit dhe Arlind Kurtit, tre prej lojtarëve të rinj që kanë spikatur këtë sezon. Kurse për çmimin “Talentja e vitit 2023” janë në garë: Rosela Vasa, Klesta Ago dhe Klaudia Borci.

Për çmimin “Arbitri i Vitit 2023” tre të nominuarit janë Juxhin Xhaja, Eldorjan Hamiti dhe Enea Jorgji. Në fund, do të zbulohet “Formacioni i Vitit 2023” me emrat e 11 lojtarëve më të dalluar përgjatë vitit për çdo pozicion, të cilët janë përzgjedhur përmes votimit nga gazetarët e emisionet sportive në vend.

Mbrëmja gala do të zhvillohet më 18 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe nis në ora 18:00 me eventin që do të transmetohet direkt në kanalin zyrtar të FSHF në Youtube dhe në platformën Supersport, që është partneri mediatik i këtij eventi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!