Kursi për licencën UEFA Pro, Silvinjo ndan eksperiencën e tij me kursantët

U zhvillua ditën e sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” leksioni i radhës për kursin UEFA Pro, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

I ftuari special në këtë seancë të radhës të kursit ishte trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, i cili diskutoi me kursantët mbi temën “Roli i trajnerit”. Në këtë leksion ishin të pranishëm edhe të gjithë pjesëtarët e stafit teknik të ekipit Kombëtar dhe trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave.

Leksioni u drejtua nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, ndërsa trajneri Silvinjo, ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e tij si zv.trajner dhe kryetrajner dhe shpjegoi edhe mënyrën e tij të punës.

Më tej, ai foli për disa çështje shumë të rëndësishme mbi rolin e trajnerit, duke nisur me funksionet parësore të një trajneri, strategjia që duhet ndjekur në momentin që merr drejtimin e një skuadre të re, si dhe nga ndryshon mënyra e punës në një klub dhe ekipi Kombëtar.

Gjithashtu tekniku brazilian vlerësoi edhe rolin e video-analistit, i cili është shumë i rëndësishëm për stafin e një ekipi Kombëtar në futbollin modern. Pas përfundimit të leksionit, trajneri Silvinjo iu përgjigj edhe disa pyetjeve të drejtuara nga Drejtori Teknik në FSHF, Fulvio Pea dhe pyetjeve të pjesëmarrësve.

Kursi UEFA PRO që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur që prej muajit shtator të këtij viti dhe shpeshherë pjesë e leksioneve janë edhe trajnerë të njohur në vendin tonë por edhe të ftuar special nga jashtë vendit, ashtu siç ishte trajneri i mirënjohur Italian, Marco Giampaolo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!