“Më të Mirët 2023”, FSHF organizon ‘Mbrëmjen Gala’

‘Topi i Artë’ dhe një Çmim i veçantë për ekipin Kombëtar që arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë më datë 18 dhjetor Mbrëmjen Gala, e kthyer tashmë në një traditë nga FSHF që i dedikohet protagonistëve kryesorë të futbollit të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre në fushën e lojës gjatë vitit 2023.

Do të jetë e gjitha një mbrëmje festive e pasur edhe me program artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe Kombëtares kuqezi që mbylli një edicion fantastik kualifikues, me objektivin e arritur finalet e Europianit “Gjermani2024”.

Në këtë mbrëmje FSHF do të akordojë çmime të rëndësishme të dedikuar për protagonistët e këtij viti, teksa nuk do të mungojnë edhe të ftuar special, personalitete ndërkombëtare, figura të mëdha futbolli, përfaqësues nga bota akademike, ajo politike, e artit, medias dhe kolegë e miq të Federatave të tjera.

Gjithashtu, do të ripërshkruhen momentet magjike dhe arritjet e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar në vitin 2023, që nga ai vendas, Kombëtarja kuqezi e deri te projektet më të rëndësishme të FSHF që kanë marrë jetë gjatë këtij viti.

Fituesit e çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar pas një procesi të gjatë e transparent të udhëhequr nga FSHF. Një çmim i veçantë do të jepet për ekipin Kombëtar që arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke u kualifikuar për herë të dytë në histori në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Më poshtë, edhe lista e çmimeve që do të jepen në mbrëmjen gala më të mirët e 2023:

  1. Talentja e Vitit 2023
  2. ⁠Talenti i Vitit 2023
  3. ⁠Këpuca e Artë (për vajza 2023)
  4. ⁠Këpuca e Artë 2023
  5. ⁠Arbitri i Vitit 2023
  6. Trajneri i Vitit 2023
  7. Formacioni i vitit 2023
  8. ⁠Topi i Artë 2023
  9. ⁠ Topi i Artë 2023 (për vajza)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!