Kontestohet trajneri Shehi, tifozët: Duam ndryshim

Orges Shehi për herë të parë kontestohet nga tifozët bardheblu. Ngjau në fund të ndeshjes Tirana- Laçi (0-3) luajtur këtë pasdite në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.

Nga fundi i muajit janar 2021 e deri më sot 3 tetor 2023 , durrsaku i njohur në fushë dhe pankinë, kurrë më parë nuk është ndeshur me replika të tilla teksa nga tribuna e “Selman Stërmasit” shumë mbështetës bardheblu i kërkuan largimin.

Në fakt, kontestimi i lojës së Tiranës ka javë që ndihet. Përpos dëmtimëve të shumta teksa e kanë shoqëruar këtë start kampionati klubin më të titulluar në vend, paraqitjet sezonale duke fituar pa bindur dhe së fundi me dy humbje shtëpiake radhazi me Erzenin dhe sot me bardhezinjtë kurbinas, kanë tronditur ambientin kryeqytetas.

Përpos asaj që kërkohet nga tifozët, futbollistët në fushë kryesisht në dy sfidat e fundit nuk u duken aspak… Mbrojtja e topitur me Najdovskin, Hoxhallarin dhe Lulajn apo paqartësia në fazën organizative me emra të tillë si Jonuzi, Deliu, anësorët Latifi e Hasani por dhe gjëndjen mjerane në majë me Kaina, çdo trajner do ta kishte të vështirë.

Sidoqoftë duhet sqaruar (në fakt trajneri duhet të thotë hapur) përse te kjo Tiranë nuk ka stabilitet në formacion, pse Lushkja qëndron në stol dhe Hila e Abazaj nisin nga e dyta (së paku sot ndaj Laçit). Po Mici e Haxhiu a bindin apo janë thjesht alternativë. Më mirë me aq pasi nëse i futesh kontigjentit ka plot pikëpyetje. Që nga Abazaj, Latifi, Hasani, Kaina…

Gjithësesi te Tirana sot kanë kontestuar trajnerin Shehi. Mjaft e rëndë. Aq sa vetë pesha e skuadrës 26 herë kampione e vendit./Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!