Laçi-Teuta, java e tretë mbyllet në Kurbin
- Duket se Superiorja po futet të zonën e deklarimit të objektivave sezonalë të klubeve gjatë këtij edicioni të 85-të Abissnet Superiore 2023/2024.
Nga Erga Kenga
Me Partizani- Teuta (java e parë) për t’u rekuperuar, panorama e plotë pas tri javëve, mbyllet sot me takimin Laçi- Teuta.
Tirana, Egnatia dhe Partizani, tre nga skuadrat e kuotuara për të luftuar për kreun janë ata që bënë mirë këtë javë. Bardheblutë fituan në shtëpi me Skënderbeun 3-1 dhe aktualisht janë në krye me 7 pikë. Po ashtu Egnatia kaloi përmes spektaklit 4-3 Erzenin por dhe Partizani me një futbollist më pak për 76′ minuta, performoi shkëlqyer në ‘Loro Boriçi’ ndaj Vllaznisë (0-0).
Ndërkohë mes polemikave për gjykimin, Dinamo mundi Kukësin 2-1 duke i dhënë skuadrës së riformatuar në çdo aspekt, tri pikët e para sezonale.
Laçi- Teuta (16:00) Stadiumi “Laçi”:
Për t’u parë… Bardhezinjtë me shumë ndyshime në kontigjent teksa së fundi zyrtarizuan Uilliam Kordiero Melon dhe Kristian Da Silvën, nuk morën rendimentin e duhur në dy takimet e para. Barazimi në shtëpi me Erzenin (3-3) teksa udhëhiqin 3-1 si dhe ai gol i pësuar në shtesë ndaj Partizanit shkojnë në unison me “fatin e keq” që përndjek kurbinasit javët e para të sezonëve të fundit. Për Skerdi Bejzaden, trajnerin e Laçit, sot do të jetë ndeshja e parë debutuese në krye të skuadrës para publikut bardhezi.
Në kahun tjetër Teuta e brishtë e teknikut Diego Longo. Një ndeshje ka zhvilluar ekipi durrsak me atë barazim spektakolar në javën e dytë ndaj Tiranës në “Niko Dovana” (2-2). Edicionin e kaluar i humbi të katër përballjet me Laçin me pasojën e largimit nga zona europiane. Sot, Teuta me afrime si Iljazi, Fili, Kruja etj, me gjasë do kërkojë revansh. Në diskutim lojtari kryesor në prapavijë Artan Jazxhi.
Abissnet Superiore, java e tretë:
Sot:
Laçi-Teuta 16:00
Të luajtura:
Egnatia-Erzeni 4-3
Dinamo- Kukësi 2-1
Tirana- Skënderbeu 3-1
Vllaznia- Partizani 0-0