Egnatia bën ligjin në Kukës Vllaznia ngec në “Milot”

Abissnet Superiore, Java 27:
Vllaznia – Bylis 0-0
Kukësi – Egnatia 0-3 (Duamena 44′, Xhekson 62′ pen, Fernando 90′)

Është rikthyer Abissnet Superiore me javën e fundit të këtij akti të tretë. Gara në kampionat ka hyrë në një fazë sa delikate aq edhe interesante me diferencat që midis ekipeve në fushën e lojës duket të jenë të papërfillshme.

Egnatia nuk ndal surprizat, por arrin të ndalë rezultatet pozitive të Kukësit. Në shtëpinë e verilindorëve, rrogozhinasit siguruan një fitore mjaft të rëndësishme që i mban në vendin e tretë dhe në garë për titullin kampion.

Fillimisht miqtë përfituan nga një gabim i Abdu duke shënuar golin e parë me anë të lojtarit të momentit, Rafael Duamena. Ndërsa në pjesën e dytë, Xhekson u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke e kthyer sfidën në malore për vendasit. Në të 90′-tën, Fernando jep goditjen e tretë dhe të vërtetë për të vulosur gjithçka në këtë takim.

Kështu, kuksianët pësojnë të dytën humbje sezonale në shtëpi përballë Egnatias duke qëndruar në vendin e gjashtë me 35 pikë dhe me sytë nga sfidat e Teutës dhe Laçit.

Nga ana tjetër, barazim i bardhë mes Vllaznisë dhe Bylisit në “Loro Boriçi” me skuadrat që ndajnë nga 1 pikë të pavlerë deri diku për objektivat e tyre.

Një pjesë e parë e vakët dhe pa shumë histori ku kuqeblutë qarkulluan disi më shumë topin, teksa në fraksionin e dytë ballshiotët mundën të regjistronin disa raste më të pastra shënimi.

Shkodranët me Auron Milotin si debutues në pankinë u shfaqën jo shumë të karikuar në këtë përballje ku dhe mundësitë që u krijuan më së shumti në fundin e sfidës nuk u finalizuan me saktësinë e duhur.

Pas këtij barazimi, Vllaznia renditet e katërta me 38 pikë, 6 larg kreut, ndërsa Bylis sheh nga fundi i tabelës, në vendin e nëntë me 29 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!