Partizani ‘ngul’ Teutën dhe mban kreun
Abissnet Superiore, Java 27:
Teuta – Partizani 0-2 (Mba 10′, Hoti 83′)
Sfida e radhës për javën e 27-të Abissnet Superiore ishte ajo mes Teutës dhe Partizanit. Në “Niko Dovana” të Durrësit ishin kryeqytetasit ata që fituan në shifrat 0-2 me nga një gol në secilën pjesë.
Ishte Kristian Mba ai që shënoi vetëm pas 10 minutash lojë duke dërguar me kokë në rrjetë topin e ardhur nga një këndore. Vijon të mbetet më cinik e më kërkues Partizani por për pjesën e parë të takimit mjafton ky gol.
Me kthimin nga dhomat e zhveshjes provojnë të reagojnë durrsakët të cilët krijojnë mundësi mjaft të mira shënimi, sidomos me Lorenco Vilën, por Rexhepi ishte i pakalueshëm ditën e sotme duke u bërë protagonist me pritjet e tij.
Goli vendimtar për fitoren e të kuqve do të vijë në minutën e 83′-të realizuar nga Engjëll Hoti që dërgon shifrat në 0-2 dhe firmos 3-pikëshin për skuadrën e tij.
Kështu, Partizani ruan kreun i vetëm me 47 pikë, ndërsa Teuta renditet e shtata me 34 pikë, 1 më shumë se Laçi i vendit të tetë./Sara Gjidiaj/