E hëna me tre takime, derbi në epiqendër
E hëna fton në skenë 6 skuadra të Abissnet Superiore në përballjet respektive mes tyre. Mbi të gjithë derbin 169-të Partizani- Tirana. Ai do të zhvillohet në kushtet kur luhet për kreun dhe se diferenca mes tyre është vetëm në tri pikë.
Në të dy kampet flitet për triumf. Ndonëse në mënyrë të moderuar, kjo gjë u shfaq pikërisht në deklaratat para takimit të vetë teknikëve Kolela e Shehi. Sidoqoftë, sfida, ajo që vendos fatet e këtij derbi në këtë fazë të tretë, zhvillohet në fushë.
Aty ku dy teknikët kanë gati gjithë kontigjentin respektiv në dispozicion. Në fakt, kur flitet për mungesa, ajo e Abazajt është e sigurtë te bardheblutë ndërsa te të kuqtë, në pikëpyetje mbetet Buxhelaj. Gjykon Juxhin Xhaja.
Ndërkohë më herët do të ndeshën Laçi- Kukësi (13:00) dhe Teuta- Vllaznia (16:00). Për vetë dinamikën e renditjes por dhe të zhvillimëve të javës së 24 teksa janë luajtur Bylis- Erzeni (1-1) dhe Egnatia- Kastrioti (4-1), të gjitha skuadrat janë të destinuara për të bërë pikë.
Kurbinasit pasi shpërthyen pak javë më parë, së fundi kanë zbehur objektivin sezonal (Europën) duke marrë vetëm një pikë në tri takime. Do ju mungojë Roganoviç për kartonë. Megjithatë te bardhezinjtë vëmendja e shtuar shkon te sulmi. Guindo ende pa shkuar te goli por dhe Shkurtaj që ndonjëherë ‘stonon’ para porte, mbetën në sintoni me atë që thuhet shpesh,- ‘pritet më shumë’
Te Kukësi mendojnë se një rezultat pozitiv në Laç, do ti jepte impulse shtesë verilindorëve për t’i ikur sa më shpejt fundit. Grupi i Hallaçit pas rikthimit të Ilieskit, i plotë. Në dy takimet sezonale, ka fituar me shifrat 1-0.
Ndeshja Teuta- Vllaznia pritet t’i ngjajë një finaljeje. Fakti që Edi Martini e ka transformuar Teutën duke e ngjitur te zona e pretendimëve madhore, flet se ‘Djemtë e Detit’ janë oreks-shtuar edhe ndaj Vllaznisë. Te shkodranët nuk ka më dilema…
Ata janë të orientuar fort te suksesi si në kampionat ashtu dhe në Kupë ndërsa e kanë fituar këtë trofe për dy edicione radhazi. Rikthimet te kuqeblutë janë evidente. Për të parë golin e parë të Balajt, duhet pritur.
Java e 24:
Laçi- Kukësi (13:00)
Teuta- Vllaznia (16:00)
Partizani- Tirana (19:00)
Luajtur të dielën:
Bylis- Erzeni 1-1
Egnatia- Kastrioti 4-1/Erga Kenga/