Partizani “shqyen” Teutën, Vllaznia kalon mes…polemikave

Abissnet Superiore, Java 9:
Teuta – Partizani 1-4 (Gruda 16’/ Hoti 2′, 34′, Da Silva 22′, Skuka 75′)

Abissnet Superiore nisi sot xhiron e 9-të dhe të fundit të fazës së parë. Java startoi vrullshëm me plot 8 gola të shënuar në vetëm 2 ndeshje të luajtura.

Teuta u kthye shumë shpejt te humbja pas fitores me Egnatian. Durrsakët u mposhtën nga Partizani në një ndeshje ku nuk munguan golat, pretendimet për penallti dhe të papriturat.

Sfida në Durrës u zhbllokua që në minutën e 2′-të nga Hoti i cili realizoi me një gjuajtje nga distanca, por nuk vonoi goli i barazimit. Ishte Gruda që riktheu në lojë të tijtë duke vendosur baraspeshën vetëm për 6 minuta.

Për fitoren e të kuqve menduan Da Silva, Hoti (2 gola) dhe Skuka që shënuan 4 herë për 3 pikë të tjera në favor të Partizanit, i cili e mbyll fazën e parë si kryesues. Ndërsa Teuta mbetet në kuotën e 7 pikëve duke thelluar akoma më shumë krizën që po kalon.

Vllaznia – Bylis 2-1 (Marku 39′, Jonuzi 71’/ Kaçorri 83′)

Sakaq, në Shkodër triumfuan vendasit me 1 gol diferencë ndaj ballshiotëve. Sërish Herald Marku që shënon për Vllazninë e në pjesën e dytë Jonuzi i sapofutur në lojë detyron Teqjan të gabojë duke dyfishuar rezultatin.

Bylis zgjohet në fund ndërsa ngushton shifrat me golin e Kaçorrit dhe mjaft raste të rrezikshme në portën e shkodranëve por që nuk mjaftojnë që skuadra e Bellait të dalë me pikë nga kjo ndeshje. 90-minutëshi mbyllet me tension në fund dhe pretendime nga ana e ballshiotëve për penallti por nuk ndan të njëjtin mendim arbitri kryesor.

Me këtë fitore Vllaznia ngjitet në vendin e tretë me 14 pikë ndërsa Bylis pëson humbjen e tretë radhazi. Sakaq, Abissnet Superiore vijon nesër me të tjera sfida./Sara Gjidiaj-Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!