Duka takon Vllazninë për Femra: Na keni bërë krenar

Presidenti i Federates Shqiptare te Futbollit Armand Duka udhëtoi drejt Shkodrës këtë të premte, ku vizitoi ekipin e vajzave të Vllaznisë dhe i uroi për suksesin e madh që ato arritën, duke shkruar historinë me kualifikimin për herë të parë në fazën e grupeve të “UEFA Women’s Champions League”.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi të gjithë grupin e vajzave kuqeblu për këtë arritje, duke i uruar të arrijnë edhe më shumë në të ardhmen, teksa theksoi se të gjithë ndihemi krenarë për këtë sukses.

‘Futbolli i vajzave për ne është shumë i rëndësishëm, një nga prioritetet tona më të mëdha. Unë dua t’ju falenderoj të gjithave për atë që keni bërë. Besoj se është një nga arritjet më të mëdha deri më sot dhe uroj të arrini akoma më shumë në të ardhmen. Ju të gjitha me të vërtetë që na keni bërë krenar për atë që keni arritur’ – tha Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i cili nuk nguroi të falënderonte edhe Presidentin e ekipit të Vllaznisë Lazër Matija, teksa premtoi edhe mbështetje financiare ekstra, veç asaj që ofron FSHF për futbollin e vajzave.

‘Pa asnjë ngurim do doja të falenderoja shumë Presidentin Lazër Matija. Futbolli ka treguar që çdo ekip është i thyeshëm, çdo ekip humbet dhe ju do i luani shanset tuaja. E para dhe kryesorja është të shijoni atë që keni arritur. Federata Shqiptare e Futbollit dhe këtë herë do të ketë një mbështetje financiare ekstra për suksesin e deritanishëm. Sigurisht që mbështetja do të vazhdojë për sukseset e tjera që mund të arrini. Ajo që ju transmetoni vërtet që i shërben shumë të ardhmes së futbollit. Jo vetëm rezultatet e sotme, por edhe ato më parë, i shërbejnë shtimit të numrit të vajzave që luajnë futboll në vendin tonë’ – tha në fjalën e tij Presidenti Duka./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!