Inaugurohet fusha e re në aneksin e “Kukës Arena”, Duka: Fushat e reja dhe ‘Uniforma ime’ prioritet

Projektet e Federatës Shqiptare të Futbollit në infrastrukturë dhe përmes shpërndarjes falas të bazës materiale për të gjithë fëmijët në të gjithë vendin po i japin një zhvillim gradual futbollit shqiptar. Këtë herë ishte radha e Kukësit që pas stadiumit modern “Kukës Arena” të inauguruar pak muaj më parë, tani qyteti do të gëzojë edhe një fushë të re ndërtuar në aneksin e stadiumit përmes një investimi të rëndësishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Kukës.

Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj fushe ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit të Lezhës, Kristjan Gjidodaj, futbollistë të vegjël dhe prindër.

Përveç inaugurimit të fushës në këtë ceremoni u shpërnda edhe baza materiale për ekipet e futbollit të kësaj zone në kuadër të projektit “Uniforma Ime” me FSHF-në, që vazhdon të pajisë me uniforma falas të gjithë fëmijët që luajnë futbollit me ekipe në të gjithë vendin nga mosha U-7 e deri në moshën U-19.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi se investime të tilla në bashkëpunim edhe me njësitë vendore janë jetike për të mbështetur zhvillimin e futbollit, teksa një nga prioritetet kryesore të Federatës është futbolli i fëmijëve dhe i vajzave, por pa infrastrukturën e duhur është e vështirë që ky mision të përmbushet plotësisht.

“Në të njëjtën ceremoni ne inaugurojmë këtë fushë të re, ndërtuar nga një bashkëpunim shumë i frytshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit me Bashkinë e Kukësit, një bashkëpunim që nuk ka filluar këtu dhe as përfundon këtu. Ka filluar me ndërtimin e stadiumit të ri, që e kemi inauguruar pak muaj më parë e i ndërtuar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Një nga veprat më të bukura jo vetëm të veriut, por i të gjithë Shqipërisë, që i shërben futbollit të Kukësit dhe ne do të vazhdojmë edhe me fusha të tjera, në Kukës dhe qytete të tjera”, – tha Duka, teksa theksoi bindjen e tij se FSHF do të bëjë gjithçka që t’u krijojë kushtet e duhura të gjithë fëmijëve që të realizojnë ëndrrën e tyre për të luajtur futboll.

“Një nga prioritetet kryesore të FSHF-së janë futbolli i fëmijëve dhe vajzave, mirëpo për t’i krijuar kushte fëmijëve dhe vajzave duhet tre komponentët kryesorë: fushat e stërvitjes, uniformat dhe topat e gjithashtu edhe trajnerët për t’i mësuar e për t’i edukuar fëmijët. Kukësi ka një trajner të përgatitur nga shkolla e FSHF-së dhe nëpërmjet projektit madhor Uniforma Ime, me bazën materiale që po shpërndahet për ekipet në Kukës dhe në të gjithë Shqipërinë, unë besoj se i kemi kompletuar fëmijët me uniforma dhe topa, por kemi më pak infrastrukturë dhe për këtë po insistojmë shumë që të kemi sa më shumë fusha futbolli për t’i siguruar fëmijët që të realizojnë ëndrrën e tyre që të ushtrojnë lojën më të bukur në botë, futbollin”, – u shpreh kreu i qeverisë së futbollit shqiptar./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!