Shehi: Ndaj Kukësit e vështirë, Tirana di…
Pasi dha një mesazh të madh në komunitet javën e kaluar duke hedhur në “treg” nismën ‘Sport dhe Edukim’, Tirana futboll, skuadra që kryeson me diferencë Superioren, do të kthehet në ndeshjet zyrtare. Nesër në Rrogozhinë e pret Kukësi për aktin e 27-të.
Para saj trjaneri Orges Shehi ka folur për mediat:
Pauza e kombëtareve, gjëndja e lojtarëve – “Ndërprerja e kampionatit ishte e parashikuar për shkak të pauzës së kombëtareve. Kur ka grumbullim Kombëtarja sigurisht që grupi i lojtarëve është i plotë, ishin 4 lojtarë të thirrur, 2 me ekipin A dhe 2 me U-21, të cilët kanë ardhur duke i’u bashkuar skuadrës ditën e mërkurë.
Ndërprerja e kampionatit është normale, në momentin që ishim do të donim që kampionati të mos kishte ndaluar, por kjo javë na ka shërbyer për të rikuperuar energjitë dhe për tu përgatitur për ndeshjen e nesërme.”
Ndaj Kukësit? – “Sfida me Kukësin është e vështirë. Të gjitha skuadrat janë me objektiva. Kukësi renditet e treta në klasifikim, është një ekip që është rivale për sa i përket ndërtimit të skuadrës dhe cilësisë, pavarësisht se pikët dhe pritshmëritë nuk i kanë aty ku janë. Një ndeshje që ka rëndësi sepse vjen pas pauzës së kombëtareve.
Të gjitha skuadrat që luajnë me ekipet që janë afër njëra-tjetrës kërkojnë që të japin maksimumin e tyre, kanë dhe objektivat e tyre. Kampionati i gjatë ka dhe momente jo pozitive, siç mund t’i ketë pasur Kukësi, por edhe ne gjithashtu. Ndeshja në ndeshje ndryshon. Ndryshon strategjia, motivimi dhe psikologjia e lojtarëve, kam përshtypje që nesër na pret një ndeshje e luftuar dhe me cilësi.”
Objektivat ?– “I kemi fatet tona në dorë, pavarësisht se kemi distancë nga kundërshtari ynë më i afërt. Kemi objektivat tona, kemi dhe lojtarë që kanë objektiva personale dhe kolektive dhe kur ndërthuren të dyja së bashku janë akoma edhe më mirë. Me këtë distancë të konsiderueshme që kemi, rivali ynë i vetëm jemi ne. Në këtë moment që jemi, motivimi është shumë i rëndësishëm”.