Impianti i Partizanit, Duka: Do të jemi mbështetës

Kompleksi i klubit Partizani është një vepër gjigande infrastrukturore që po merr dita ditës dhe shumë shpejt do të jetë gati për të pritur futbollistët. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka së bashku me Presidentin e Partizanit, Gazment Demi kanë inspektuar sot punimet që po vijojnë me ritme shumë të shpejta. Kompleksi i ri i klubit, që po ndërtohet në zonën e Tufinës, do tëë ketë të gjitha facilitetet e duhura për një klub futbolli duke filluar që nga stadiumi, fushat stërvitore, hoteli akomodues, palestrat, ambientet ndihmëse, parking, muzeu i klubit dhe shumë funksione të tjera, që do të përbëjnë një vlerë të shtuar për futbollin shqiptar.

Një kontribut financiar për ndërtimin e këtij projekti ka dhënë edhe Federata Shqiptare e Futbollit që përfshijnë fushën e stadiumit, sistemin e ndriçimit dhe sediljet. Vetë Presidenti Duka u shfaq i surprizuar nga projekti madhor dhe vlerësoi investimin e familjes Demi, si një vepër që do t’i shërbejë fëmijëve.

“Në fakt jo vetëm unë, por çdo njeri që do të vinte këtu, do të ndjehej i surprizuar nga i gjithë kompleksi që po ndërtohet këtu për klubin Partizani. Mund të kem lexuar nëpër media që Partizani po ndërton një kompleks, por nuk mund ta besoja që është një projekt kaq i madh me një stadium të kompletuar që plotëson të gjitha parametrat, me një hotel për ekipin. Projekti përfundimtar parashikon edhe fusha stërvitore për të gjitha ekipet e moshave, gjë që do t’i shërbejë shumë kryesisht fëmijëve të Tiranës. Në fund të fundit investimi është për ta, pavarësisht se vetë klubi pretendon edhe në nivelin profesionist që të ketë rezultate nëpërmjet atyre fëmijëve”, – tha Presidenti Duka, duke premtuar mbështetjen e FSHF-së edhe në vazhdim për të përmirësuar infrastrukturën kudo nëpër Shqipëri.

“Dua ta falënderoj shumë Presidentin Demi për këtë investim, për të gjithë kontributet në futbollin shqiptar. Ky është një investim shumë i madh, ku edhe ne jemi kujdesur me një kontribut modest krahasimisht me atë çfarë është bërë këtu, por gjithsesi është një projekt që ne do të vazhdojmë ta mbështesim si FSHF sepse në fund të fundit jemi të gjithë bashkë për të njëjtin qëllim. Do ta mbështesim me fushat e tjera të stërvitjes, siç kemi mbështetur edhe klube të tjera si Tirana, Teutën, Vllazninë, etj., duhet padyshim, që ndonëse është një kompleks privat, të kemi fokus mbase më shumë sepse është një kompleks shumë i mirë. Është koha që ne të merremi me investimet, të merremi me zhvillimin e futbollit dhe sa më pak retorika apo batuta nëpër televizione”, – theksoi Presidenti i FSHF-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!