Pontreli: Flasim për një Dinamo të madhe

I ftuar në “E Hëna Sportive” në RTSH, presidenti i bluve Marko Pontreli, ka rrëfyer udhëtimin e bërë që kur mori çelësat e Dinamos së rrënuar dy vite më parë e deri sot teksa e ngjiti në Superiore.Blutë janë kthyer dje matematikisht në Kategorinë Superiore pas një mungese 9-vjeçare.

Pontreli:

“Lodhja gjatë gjithë kampionatit shpërbëhet ditën pas fitores. Sot jam shumë i qetësuar, i relaksuar, por dua të them se jam dhe i kënaqur për një punë të shkëlqyer, edhe pse dihet se cilat janë dinamikat e futbollit shqiptar. Si i huaj, më duhet pak kohë për të kuptuar dhe për të gjeneruar rezultate e për të arritur objektivat”.

VËSHTIRËSITË – “Zgjedhja ime ishte pak e guximshme, sepse mund të evidentohesha si presidenti që e dërgoi Dinamon në kategorinë e tretë. Kështu që në janar skuadra ishte një pikë, mund të thuhet se ishim në kuotën zero. Ishte një guxim i tepruar, por unë jam një njeri i basteve në këtë sport, nuk është hera e parë që bëj mrekulli. Në Itali kam bërë edhe më të vështira se sa kjo. Unë nuk e kuptoj përse kjo arritje nuk është vlerësuar, sepse ishte me të vërtetë një mrekulli”.

“Vija nga një mentalitet tjetër, kështu që kisha nevojë për 4-5 muaj për të kuptuar dinamikën e futbollit shqiptar. Ishte një bast, që në fund ia vlejti. Basti që vura ishte me veten time. Nëse heq këtë adrenalinë, atëherë nuk jetohet më, gjithçka e mbaruar. Por dua të them se futbolli përbëhet nga shumë detaje, që formojnë profesionalitetin. Por si bazë unë gjeta emrin historik, që më ka lejuar të punoj me shumë qetësi. Është një ambjent që të lejon të presësh rezultatet, nuk ka pesing. Futbolli italian është ndryshe, ka presing. Kështu që dua ti them faleminderit Shqipërisë”.

“E kam thënë që në fillim, duke mos e njohur futbollin shqiptar, jam nisur nga një bazë solide, që është ABC-ja e futbollit dhe në fund gjithmonë të jep të drejtë. Këtë vit, objektivi ishte shumë i ndryshëm: të fitoja për tu ngjitur në Superligë. Kisha nevojë për një grup që kishte në mentalitetin e tij fitoren. Pashë me kujdes dhe zgjodha lojtarët e Pogradecit, më pëlqenin si grup lojtarësh dhe rezultatet na dhanë të drejtë”.

NDRYSHIMET, NGA KAMARATA TE MORIERO – “Me Kamaratën kam një raport të shkëlqyer edhe sot. Të mos harrojmë se ai nuk ka patur asnjëherë një eksperiencë me skuadër të rriturish. Unë e zgjodha mbi të gjitha për anën karakteriale të tij, sepse ndryshe nga ndonjë tjetër, unë jam një president i fushës. Më pëlqen të merem me detajet, me teknikën, sepse kam qënë një ish-profesionist. Nuk kam bërë farmacistin, kam bërë futbollistin. I kuptoj të gjitha dinamikat që rrethojnë skuadën. Unë zgjodha Kamaratën dhe nuk gabova, sepse është një teknik i madh. Por në dhjetor ai më kërkoi që të ndryshonte kategori. Unë i dhashë mendimet e mia se me çfarë do të përballej, por nuk mund ta ndaloja”.

“Nuk duhet të harrojmë se ishte një ndryshim kategorie. Kështu që unë projektova ndryshimin, por sinqerisht që nuk i njihja, si Morieron ashtu dhe Mikolin. Në këtë zgjedhje, në errësirë, ndodhi që pas një muaji ishte vetë skuadra që nuk e donte trajnerin. Unë bëra ndërmjetësin dhe e zgjata dhjetë ditë këtë raport. Kështu në fund vendosa ta largoja Morieron, një zgjedhje e detyruar”.

“Përveç Kamaratës, edhe Olsi kishte kërkuar të njëjtën gjë, të provonte mundësinë te Tirana.  Më vonë unë mora Olsin, të cilin unë e njoh mirë. Jam i kënaqur që gjërat shkuan kështu, sepse pata disponibilitetin e tij. E bëra këtë lëvizje me shumë siguri se do të arrinim objektivin. Të gjithë kanë një mundësi të parë”.

Një notë për sezonin dhe për lojtarët? Skuadra është e përbërë nga djemë të shkëlqyer, jemi një familje e madhe. Nëse do më dëgjojnë, do bezdisen nga kjo. Mund të them se kanë bërë një kampionat me dy faza. Në fazën e parë morën impaktin e te qënurit pjesë e një skuadre të madhe. Në fazën e dytë u shfaq një skuadër që ra nga ana karakteriale dhe pati luhatje, por që nuk lidhej me cilësitë teknike. Ka të bëjë me presionin dhe kritikat e tifozëve. Por në fund jam i kënaqur me arritjen”.

MBËSHTETJA FINANCIARE, SPONSORËT – “Në tre javët e fundit më kanë kontaktuar shumë njerëz, për tu bërë pjesë e projektit. Unë kam bërë vlerësimet e mia, të drejta apo të gabuara, janë tre persona, shumë seriozë dhe kemi një ndjesi të përbashkët të menjëhershme. Ata kanë besuar tek unë dhe tek projekti që në fillim. Unë do të jem i pranishëm te Dinamo edhe në sezonin e ardhshëm, por kam marrë dhe një propozim nga një klub i madh në vedin tim, ku mund të jap atë që kam dhënë këto dy vite këtu. Kështu që bashkë me tre bashkëpunëtorët e mi do të kemi një dinamikë me dy klube. Kjo do të sjellë shumë avantazhe”.

SHTËPIA E DINAMOS – “Kemi identifikuar një terren, që është shumë i rëndësishëm, por meret njëri prej ortakëve me këtë. Po shikojmë se cila është mundësia. Do të shikojmë se cili do të jetë projekti, për sektorin e të rinjve nga njëra anë dhe skuadrës së parë nga ana tjetër”.

ISH-KAMPIONËT – “Kam parë se këtu në Shqipëri ka shumë forcë dhe energji për kujtimet e ish-kampionëve. Dua të them, çfarë kanë bërë këto nëntë vite këta kampionë të Dinamos, deri një muaj më parë. Unë luftoja, vuaja, financoja, por nuk i njoh këta zotërinjtë. Njoh vetëm Demollarin, që më ka qëndruar pranë, të tjerët nuk i njoh. E them këtë sepse, tifozët duhet të kuptojnë kush është rritja. Kush jep, duhet të marrë, kush nuk jep…”.

NDESHJA E FUNDIT, AJO ME BURRELIN – “Ne objektivin e kemi arritur. Nuk mund të fsheh se mund të bëjmë një ndeshje me të gjithë titullarët, sepse na pret sfida me Egnatian më pas. Në mëngjes kisha një diskutim me trajnerin ku i thashë që të kursente elementët më të mirë. Të japim maksimumin me lojtarët që kanë luajtur më pak gjatë vitit. Ne do të luftojmë për të fituar finale me të parën e grupit tjetër. Kështu që, nuk është çështje për të favorizuar Burrelin apo Korabin, ne e kemi treguar se nuk kemi aleanca, shikojmë interesat tona. Interesi jonë është që të kursejmë lojtarët në këtë fund sezoni”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!