Rroca ‘në kohën e ABC-së’, dua Kombëtaren

‘Nuk e di se çfarë duhet të bëjë më shumë një futbollist për të marrë një ftesë në Kombëtare”. Kjo deklaratë e fantazistit shqiptar të Istanbulspor, Eduart Rroca, duket se ka grishur idenë e gazetarit të njohur sportiv të ABC-së Vladimir Prenga për të ‘gjurmuar’ për Rubrikën e tij më të re “Në kohën e ABC-së”.

Nga Vladimir Prenga

Mjaftonte një top, fushën e kishte pranë shtëpisë dhe normalisht çdo ditë mendonte të luante futboll. Eduart Rroca ishte një nga shumë fëmijët e dashuruar pas topkëmbës në qytetin e Lushnjës. Edhe pse i rritur sot, ai tregohet i sinqertë: “Nuk është se kam blerë ndonjë herë top”. U ka ndodhur shumë fëmijëve, por kjo nuk ua ka zbehur dashurinë për ta ndjekur ëndrrën.

“Futboll kam luajtur në moshë shumë të hershme, sepse kam qenë si të thuash edhe pak me fat. Fushën e sportit e kam pasur pas shtëpisë time dhe që fëmijë loja e preferuar ishte futbolli. Pastaj me ekip kam filluar stërvitje për herë të parë 12-13 vjeç”, rrëfen Rroca, i cili me plot dëshirë ka pranuar të flasë për rubrikën “Në kohën e ABC-së”.
Edhe pse nuk e kishte një top, edhe pse në fëmijërinë luhej me topa çfarëdo, Rroca nuk u ndal. “Me thënë të drejtën nuk është se kam blerë ndonjë herë top, gjithmonë luaja me topin e shokëve. Siç kanë qenë kohët atëherë, jo të gjithë e kishin mundësinë të blinin një top futbolli. Ua merrja gjithmonë shokëve”, shton me sinqeritet futbollisti, i cili sot është pjesë e Istanbulspor në Turqi dhe po shkëlqen.

Kur futbolli është pasioni yt, sytë të shkojnë edhe në TV ku shfaqen emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Me numrin 10 Rroca e ka lidhjen të hershme, që kur daja i tij i bleu fanellën e parë. Më pas mesfushori e mbajti te Luftëtari dhe Kukësi atë numër.

“E mbaj mend, që kur kam nisur të stërvitem me ekip për herë të parë, daja më ka sjellë një uniformë të Real Madrid. Ishte bluza e Robinho me numrin dhjetë”, tregon Eduarti, i cili në moshë të vogël u bashkua me Lushnja 1920, një ekip privat. “Më kujtohet fusha ku stërvitesha, e kisha pas shtëpisë. Akoma vazhdon të jetë ajo fushë, por në një gjendje jo të mirë. Askush nuk ka vënë dorë aty, për fat të keq.

Dita e parë në stërvitje ishte diçka e veçantë. Për herë të parë stërvitesha me një ekip, të gjithë fëmijët ishin me një uniformë, kishte rregull, nuk ishte më ajo loja ku me dy gurë bënim një portë dhe pa rregulla. Trajneri im i parë ka qenë Mustafa Loçi, të cilin nuk e kam harruar dhe e kam përmendur në intervistat e mia. Ai ka pasur një ndikim shumë të madh tek unë”, tregon Rroca, i cili edhe fëmijë luante si mesfushor qendre, sikurse bën edhe sot.

Kur e ngacmon për të treguar ndonjë batutë të trajnerëve me të cilët ka punuar, ai nuk ngurron të flasë hapur. “Profesori Muçi, që e përmenda më parë, kishte shumë shprehje e thënie. Ajo që nuk e harroj, është shprehja e tij kur nuk luanim mirë, nuk stërviteshim mirë ose kur humbnim: ‘Sikur 100 goca të kem, asnjë nuk ua jap juve për grua’ (qesh). Në fakt profesori nuk kishte goca, prandaj na e thoshte këtë. Gjithsesi ishte diçka që më ka mbetur në mendje dhe sot ia kujtoj”.

Udhëtimet për në ndeshje janë ato që nuk harrohen: “Ato ishin udhëtimet e para që kemi bërë si futbollistë dhe kujtimet mbesin në mendje. Ka gjëra që nuk i harrojmë. Ishin udhëtime që bëheshin brenda ditës, nuk kishe shumë kohë. Thjesht bëje udhëtimin, shkoje te fusha, ndërroheshe dhe futeshe në ndeshje. Nuk është se kishte shumë kushte, e tillë ishte koha atëherë”.

Në futboll jo të gjithë bëjnë përpara dhe Rroca tregon se kishte elementë të mirë, të cilët mund të kishin bërë karrierë. Gjithsesi nga brezi i tij te Lushnja 1920 vetëm fantazisti ia ka dalë. “Ka pasur lojtarë shumë të mirë të brezi i moshës time, te brezi ’92, ’93, ’94, të cilët mendoja se do ecnin dhe do bëheshin futbollistë të mirë, por fatkeqësisht nga ai brez vetëm unë ia kam dalë. Asnjë nga ekipi im nuk mundi të bëhej dot futbollist profesionist.

Ishin 4-5 nga brezi im, por gjatë rrugës patën vështirësitë e tyre. Mund të përmend shokun tim të fëmijërisë, me të cilin e nisëm në të njëjtën kohë, Henri Miska, por për shumë arsye nuk u bë futbollist dhe tani ndodhet në Angli. Një tjetër që prisnim të bëhej lojtar i mirë ishte Anxhelo Naçi. Edhe ai nuk arriti të shkonte dot më sipër”.

Fëmijëria ka edhe rrëngje plot, por Rrocës i duhet të takohet me shokët e tij për t’i kujtuar. Gjithsesi një ndeshje në Vlorë nuk e harron kurrë dhe ka arsye për këtë. “Kanë ndodhur shumë rrëngje, shumë gjëra, shumë shaka janë bërë, por me thënë të drejtën nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe nuk është se kujtoj ndonjë specifikisht.

Nëse mund të takohem me shokët e asaj moshe, mund të kujtonim shumë gjëra, pasi kanë ndodhur gjëra të bukura. Si gjënë më të çuditshme mund të kujtoj një ndeshje në Vlorë, që ka mbaruar me rezultatin 6-5. Gjashtë gola i bëri sulmuesi i ekipit kundërshtar dhe pesë unë. Kjo mund të them se ka qenë diçka e çuditshme, pasi të shënosh pesë gola dhe të mos fitosh ndeshjen… (qesh) është e çuditshme”.

Si fëmijë edhe Rroca ka pasur ata të cilët e motivonin, hapat e të cilëve dëshironte të ndiqte. Gjithsesi ai nuk ka parë shumë larg, pasi i mjaftonte Lushnja që stërvitej ngjitur me fushën ku ai hodhi hapat e parë në futboll. “Shikonim si shembuj lojtarët e mëdhenj që ndiqnim në televizor, por sigurisht edhe ata që stërviteshin me ekipin e Lushnjës. Ne stërviteshim ngjitur me ekipin e parë dhe kur i shihnim ata gjithmonë mendonim a do arrijmë të bëhemi si ata dhe të luajmë për Lushnjën dhe gjëra të tilla.

Atëherë ishim thjesht fëmijë, me ëndrra dhe shumë gjëra nuk i kuptonim. Si shembuj mund ta them që shikonim lojtarët e Lushnjës. Siç e thashë, kemi qenë shumë të vegjël, shumë gjëra nuk i kuptonim në atë moshë. Ndoshta 13-14 vjeç ëndrra më e madhe ishte të luanim me Lushnjën. Duke u rritur edhe gjërat kanë ndryshuar”, shton Rroca në rrëfimin e tij.

Për të mbetur në botën e futbollit fantazisti ka pasur mbështetjen e familjes së tij dhe veçanërisht të nënës. “Sigurisht familja ime më ka mbështetur gjithmonë, edhe pse nuk i kam pasur mundësitë ekonomike shumë të mira. Atëherë futbolli mendohej si një mënyrë për të kaluar kohën, nuk shihej si një profesion. Familja më ka qëndruar pranë, veçanërisht mami, e cila më ka krijuar mundësinë ta vazhdoja stërvitjen rregullisht”, tregon Rroca.

Dëshirën për t’u bërë futbollist dhe kur e kuptoi që mund t’ia dilte ishte vetëm 17 vjeç. “Për herë të parë e kam menduar se mund të bëhesha futbollist në moshën 17-vjeçare. Më mbaroi mosha me paratërinjtë dhe duhet të kaloja tek ekipi i të rinjve.

Me ndihmën e trajnerit tim të parë, profesor Muçit që e përmenda më lart, sigurova një provë tek Egnatia dhe ata më mbajtën. Ata luanin në Kategorinë e Dytë atëherë dhe e mendova se mund të bëhesha një futbollist dhe mund të arrija diçka me futbollin. Një gjë të tillë në fakt e doja shumë”, përfundon Rroca, i cili tani ka edhe një ëndërr: “Të luajë me kombëtaren e Shqipërisë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!