Reja befason me listen, dominon rinia…


Shqipëria do të nisë me miqësoren me Armeninë në 7 Tetor në Jerevan e më pas me takimet zyrtare të Ligës së Kombeve po në transfertë me Kazakistanin më 11 tetor dhe Lituaninë më 14 tetor.

Edi Reja tekniku kuqezi, zbardhi sot listën e futbollistëve të Kombëtares për ndeshjet e muajit tetor. Risi të shumëta të pa-parajalëruara me Hysaj, Balaj, Cikalleshi e Roshi jashtë liste.

74-vjeçari i pyetur për këto futbollistë se përse janë jashtë grumbullimit, Reja tha se se ka vendosur të bëjë revolucion te skuadra duke besuar fort te elemëntët me emra të rinj, duke spjeguar se ata të rinjtë, do marrin gradualisht kohen e tyre për tu bërë pjesë e Kombëtares A.

Sakaq, emra të tillë si Çokaj, Mersinaj, Kallaku, Çepele, Doka, Broja, Vrioni, Çekiçi, Laçi, Molla, marrin vemendje te Kombëtarja A

Pse mungojnë emrat e disa senatorëve si Hysaj, Balaj, Cikalleshi e Roshi?
Hysajn e kam lënë jashtë për shkak të situatës së krijuar me Covid-19 te skuadra e Napolit, ndërsa për Roshin kam informacione që ka probleme dëmtimi. Cikalleshi nuk po kalon një moment të mirë dhe Balajn e njoh mirë, ndaj nuk kam çfarë t’i shoh. Bashkë me presidentin Duka kemi një plan për rinovimin e skuadrës dhe kemi afruar shumë futbollistë të rinj që janë nën moshën 21-vjeçare, të cilët duhet t’i përfshijmë gradualisht dhe t’i rritim, për t’i pasur gati për një periudhë 3-4 vjeçare. Kemi emra të rinj si Çepele, Broja, Çokaj, Kumbulla, etj, të cilët duhet t’i bëjmë gradualisht pjesë të formacionit. Kam grumbulluar 29 futbollistë, por të shohim se sa do na vijnë, pasi është pak situatë e komplikuar për shkak të pandemisë.

Keni pasur mundësinë të reflektoni mbi shkaqet e humbjes ndaj Lituanisë?
Është një problem që e has gjithmonë te Shqipëria, që pas një ndeshjeje të mirë dhe të fituar, skuadra e merr shumë lehtë takimin e radhës. Edhe ndaj Lituanisë pati shenja nënvlerësimi, ndonëse i kisha paralajmëruar të gjithë që nuk do të ishte e lehtë, pasi kundërshtari kishte një gjendje të mirë fizike. Kjo na ka ndodhur shpesh dhe po punojmë për të shmangur përsëritjen në të ardhmen.

Duket se ka shumë emra të rinj në listë…
Bëhet fjalë për futbollistë të talentuar, që nuk kanë eksperiencë, por kanë cilësi dhe dëshirë për të bërë mirë. Natyrisht që do të duhet kohë që ata të piqen e të rriten, por duam t’i inkuadrojmë gradualisht. Pres që të sillen si profesionistë dhe të punojnë me përulje e të pranojnë vendimet e trajnerit, si kur luajnë, ashtu edhe kur thjesht vijnë në grumbullim.

Cili është synimi për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve?
Do të jetë e vështirë të them synimin, por do të isha i kënaqur nëse do të fitonim njërën prej ndeshjeve dhe të mos humbisnim tjetrën, pra të merrnim të paktën 4 pikë dhe të ruanim pozitat tona në renditje. Megjithatë po na del problem menaxhimi i kënaqësisë pas një suksesi, pasi siç e thashë, kemi gabuar gjithmonë pas një ndeshje të mirë.

A e ka Reja një formacion titullarësh te Shqipëria?
Sigurisht që po, e kemi një 11-she dhe nuk është se ndryshojmë shumë. Kam marrë shumë emra të rinj edhe për t’i parë në miqësoren ndaj Armenisë, ndërsa sa i përket formacionit bazë, dua të përfshij gradualisht Kumbullën, që po bën shumë mirë në kampionatin italian, por që nuk ka pasur mundësinë të luajë me ne. Gjithashtu dua të shoh edhe Kamberin, që na ka munguar për arsye të ndryshme kohët e fundit, megjithatë e kemi një formacion tonin.

A ka ndryshuar objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve?
Objektivat nuk kanë ndryshuar dhe ne jemi në pozita të njëjta në grup, ndaj nëse paraqitemi mirë, mund të dalim të parët. Jemi duke jetuar një moment të veçantë dhe nuk është e lehtë për një trajner përfaqësueseje që të ketë më të mirët. Shumë lojtarë nuk janë në formën më të mirë fizike, pasi kanë luajtur pak, ndërsa të tjerë nuk kanë mësuar ende të ardhmen e tyre dhe mezi presim që të mbyllet edhe merkatoja të hënën. Një situatë e ngjashme ëstë me Manajn, që pret të lëvizë dhe ka luajtur shumë pak këto kohë, ndërsa këtë herë kemi marrë edhe disa emra të rinj.

Është një moment ku shumë futbollistë kanë ndryshuar skuadër dhe këtu kam parasysh Baren, Cikalleshin, Kumbullën, Gjasulën, etj., dhe një pjesë e mirë e tyre kanë luajtur shumë pak në klubet e reja, ndaj duhet të shoh gjendjen e tyre. Ndryshe është situata te kundërshtarët tanë, pasi futbollistët e tyre luajnë në ligat përkatëse prej kohësh, janë titullarë dhe kanë një formë të mirë fizike, ndaj kjo e vështirëson punën. Është shumë e vështirë të gjesh lojtarë në formë të mirë në këtë periudhë të sezonit.

Kush do të jetë kapiteni në mungesë të Hysajt e Roshit? Pse mungon Cikalleshi, i cili ka luajtur në ndeshjet e fundit në kampionatin turk?
Në mungesë të Hysajt, kapiteni është Berisha. Më pas luan apo nuk luan edhe ky, nuk ka rëndësi, pasi është kapiteni dhe lideri gjatë grumbullimit, jo vetëm në fushë. Për Cikalleshin, mund të them që mund të jetë një kapiten në të ardhmen, pasi ka disa vite që luan dhe shoh që ka goxha ndikim në fushë. Sa i përket mungesës së Cikalleshit, e shpjegova edhe më parë, që nuk është në formë shumë të mirë dhe nëse do të vijojë të luajë rregullisht, do ta grumbulloj në ndeshjete ardhshme.

Lista:

Portierë: Tomas Strakosha, Etrit Berisha, Marko Molla

Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Kastriot Dermaku, Marash Kumbulla, Lorenc Trashi, Ramen Çepele, Hysen Memolla, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Albi Doka, Frederik Veseli

Mesfushorë: Ermir Lenjani, Keidi Bare, Lindon Selahi, Myrto Uzuni, Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Enis Çokaj, Endri Çekiçi.

Sulmues: Armando Broja, Florian Kamberi, Rei Manaj, Xhakomo Vrioni, Taulant Seferi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!