Tirana, “kampionia” shqiptare e Champions

Nga Bashkim TUFA

Të mërkurën e 19 gushtit, bardheblutë e Tiranës, pas golave të Torasës (45’+4) dhe Ismailgecit (86’) fituan në transfertë 2-0 në stadiumin “Boris Paishadze”, duke eliminuar nga turi i parë i Champions League, skuadrën gjeorgjiane të Dinamos së Tbilisit.

Një sukses i bukur i skuadrës kryeqytetase, e cila pasi ka siguruar edhe titullin e 25-të të kampionëve të Shqipërisë, vetëm katër ditë pas përvjetorit të 100-të të krijimit të klubit të tyre, arrijnë të kalojnë edhe një tur eliminator në “skenën” elitare të futbollit europian.

Dhe ky sukses nuk shënohet për herë të parë në “librin” e historisë së bardhebluve të kryqeqytetit. Ndonëse arrihet pas 15 vitesh, për Tiranën ky është rasti i 7-të i kualifikimit dhe kalimit në turin e dytë të Champions League. Si ajo askush në historinë e futbollit shqiptar…  

Pak histori me “aromë” Champions League…  

Shqipëria, edhe pse është anëtare e UEFA-s qysh me krijimin e saj më 1955, ka një histori modeste në veprimtaritë kontinentale. Kjo sigurisht kushtëzohet edhe me nivelin, edhe me kushtet social-ekonomike në të cilat është ndërtuar, ka jetuar dhe po jeton futbolli shqiptar.

Nuk kemi për qëllim t’i analizojmë këto. Por sidoqoftë, historia është histori dhe faktet janë kokëforte. Pjesëmarrja e klubeve shqiptare në kupat e Europës para viteve ‘90 nuk ka qenë permanente, por fragmentare, e kushtëzuar dhe e dëmtuar edhe nga politika. Peripecitë kanë qenë të shumta dhe nga më të ndryshme…

Për herë të parë, në Kupën e Kampioneve, futbolli shqiptar merr pjesë në edicionin e viteve 1962-63. Partizani luan kundër suedezëve të Norçepingut. “Të kuqtë” marrin pjesë edhe në dy edicionet e ardhshme, ku natyrisht, u eliminuan. Megjithatë, Kupa e Kampioneve kishte filluar të fliste shqip…

Po peripecitë, edhe pse artificiale të krijuara nga politika, nuk i ndaheshin ekipeve shqiptare. Shorti ishte i frikshëm, kërcënues për to. Përballja me ekipet sovjetike ishte një herezi, ndaj ishte bërë si “shpata e Demokleut” për to. Pasojat e dënimeve, gjobave nga UEFA, thuajse i kanë provuar që të gjitha ekipet shqiptare pjesëmarrëse në kupat e kontinentit.

Shqipëria herë merr pjesë në Kupën e Kampioneve, herë në Kupën e Kupave, herë në Kupën e UEFA-s, dhe herë herë, nuk merrte pjesë fare në to. Këto ishin të kushtëzuara dhe në vartësi të konjukturat politiko-sportive të partisë-shtet të atyre viteve.

Për herë të parë në historinë e tij futbolli shqiptar mori pjesë në të tria kupat e Europës, vetëm në edicionin e viteve 1986-87. Dinamo luajti në Kupën e Kampioneve, 17 Nëntori në Kupën e Kupave dhe Flamurtari në Kupën e UEFA-s.

E megjithatë, klubet shqiptare kanë historinë e tyre në kupat e Europës. Natyrisht, të thjeshtë, modeste. Tirana (17 Nëntori i asaj kohe), është ekipi shqiptar rekordmen përsa i përket kalimeve të turit të parë. Madje bardheblutë e kryeqytetit, janë të vetmit ndër kampionët e Shqipërisë, që ia ka arritur të kalojnë 7 herë turet e parë në Champions League…

Ja dhe kualifikimet e skuadrës së Tiranës në Champions League:

Turi i parë, 1/16 (1982-83): Tirana-Linfield Belfast 1-0, 1-2

Turi i parë, 1/16 (1988-89): Tirana-Hamrun Spartans 1-2, 2-0                        

Turi i parë, 1/16 (1989-90): Tirana-Sliema Wonderers 0-1 dhe 5-0

Turi i parë eliminator (2003-04): Dinamo Tbilisi-Tiranë 3-0, 0-3 (2-4 p)

Turi i parë eliminator (2004-05): FK Gomel (Bjellorusi)-Tiranë 0-2, 1-0

Turi i parë eliminator (2005-06): Nova Gorica-Tirana 2-0, 0-3

Turi i parë eliminator (2020-21): Dinamo Tbilisi-Tiranë 0-2      

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!