Etika: Mungon Tirana, emaili “humb” rrugën
Komisioni i Etikës pranë FSHF-së, është mbledhur sot dhe ka hapur “dosjen” e përgatitur për ndeshjen e parë Bylis-Tirana (2-1), për gjysmëfinalet e Kupën e Shqipërisë, ku sjellja e lojtarëve dhe e skuadrave gjatë takimit ka qenë e dyshuar.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i Komisionit të Etikës, juristi i njohur Fatmir Braka, është shprehur, se Tirana nuk është paraqitur në mbledhje për të dhënë dëshminë, më justifikimin se nuk është njoftuar dhe se në zyrat e klubit kryeqytetas, nuk ka mbërritur emaili.
“Sot u mbajt mbledhja e radhës siç ishte planifikuar. Tirana nuk u paraqit dhe u shty për njëherë tjetër. Administrata e Federatës i ka dërguar një email, ndërsa Tirana thotë se ai email nuk ekziston më.
Ne i kemi dërguar një email tjetër, ku i lamë afat. Hetimet u bënë sot dhe do të vazhdojnë të bëhen. Hetimi po zhvillohet për ndeshjen e pare gjysmëfinale Bylis-Tirana për Kupën e Shqipërisë. Mbledhja e radhës është lënë për ditën e martë.
Në komision ishim 3 veta nga çdo klub, aq sa kërkohet. UEFA dërgon vazhdimisht raporte në FSHF, nuk ka ndonjë insistim nga ata. Është e paparashikuar se sa do të zgjasë hetimi. Nuk mund të them për penalizimet”, ka deklaruar në përfundim kryetari Braka për mediat.