Hamilton akuzon për racizëm, F1 i përgjigjet

● Kampioni i Mercedesit vazhdon të ushqejë temën e diskriminimit racor: “Nuk është bërë sa duhet. U deshën trazirat që autoritetet të arrestonin Derek Chauvin për vrasje dhe kjo është e trishtueshme,”- ka deklaruar ai.
Britaniku Ljuis Hamilton vazhdon thirrjet-akuzuese për heshtjen e botës së motorrave mbi temën e diskriminimit racor, temë e ditës pas vrasjes së dhunshme të George Floyd në Mineapolis të SHBA.
“Unë shoh që yjet më të pasur qëndrojnë në heshtje. Asnjë sinjal nga sporti im, i cili padyshim është i dominuar nga të bardhët. Por unë e di se kush jeni”, ka deklaruar kampioni i botës, piloti i Mercedesit dy ditë më parë.
Përgjigja e Formula 1 ka ardhur nga postim në Twitert, në të cilën thuhet: “Ne jemi me ju, me të gjithë njerëzit që luftojnë kundër racizmit. Eshtë një e keqe, nga e cila as sporti dhe as shoqëria, nuk është me të vërtetë immune.
Vetëm të gjithë së bashku mund ta kundërshtojmë dhe ta zhdukim atë. Së bashku jemi më të forte,” – shkruhet në reagimin e Formulës 1, që i përgjigjet edhe akuzave të kampionit të botës, Ljuis Hamiltonit.
