Duka “bekon” rifillimin e Superiores…

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pak para rifillimit të Kampionatit të 81-të Kombëtar të Superiores, nëpërmjet faqes së tij private në Facebook, ka përshëndetur të gjithë futbollistët dhe tifozët për këtë ngjarje të shumëpritur në vendin tonë.

Teksa i uron suksese në këtë rrugëtim të gjithë, presidenti Duka u rikujton edhe një herë të gjithë protagonistëve të tregohen të kujdesshëm në zbatimin me rigorozitet të protokollit shëndetësor.

“Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit!
Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit.
Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.
Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë.
Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.
Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.
Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play. Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit!
Suksese të gjithëve!”,
shkruan Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!