Teuta në ‘gjumë’, Laçi i Cungut bind…
Kategoria Superiore, java e18-të: Teuta- Laçi 0-1 (Turkaj 53′)
Teuta zhgënjen në shtëpi ndaj Laçit. Skuadra e Martinit, përtej problemeve me futbollistët e pamundur për t’u hedhur në fushë, nuk bindi aspak.
Dy-tri raste përgjatë gjithë takimit, ndërsa skuadra ishte që nga minuta e 53-të, poshtë një goli, fare pak për durrsakët që shpesh flasin për kupat e europës apo titull kampion.
Ndërkaq, paraqitja e dobët vjen në sytë e teknikut të Kombëtares Edi Reja i pranishëm në ‘Niko Dovana’.
Në anën tjetër bardhezinjtë e Cungut surprizues dhe tejet të motivuar për të bërë më të mirën. E nis me vrull dhe mban në gjysmëfushën e saj Teutën. Sinjalet e para janë të qarta, kurbinasit në kërkim të tri pikëve.
Por pa kaluar pak nga starti, Ignjatoviç merr një dëmtim (dyshohet tërheqje) dhe braktis fushën.
Gjoni merr pozicionin e serbit ndërsa gjithçka duket se funksionom mirë. Gjithsesi, një përplasje mes dy lojtarëve kurbinas, Lushkja dhe Rapo, bën që ish- kapiteni i gjirokastritëve të lërë takimin e parë me fanelën bardhezi. Ishte e 18-ta.
Me epërsinë territoriale të Laçit dhe një rasti ideal të Nuabuezes (pritur me klas nga Frashëri), mbyllet pjesa e parë.
E dyta nis po aty. Kërkues miqtë dhe Teuta që nuk del dot në lojrat e mira të saj. Nga zhvillimet nga këndi, topi pasi devijohet me kokë nga Greca (debutoi me kurbinasit), shkon në shtyllën e dytë aty ku Rudolf Turkaj me kokë realizon golin e parë personal në kampionat dhe të vetëm në këtë takim.
Në fund, Teuta, kërkon dëshpërueshëm barazimin por është shumë vonë. Sidoqoftë, portieri Frashëri dhe Shkalla, meritonin një pikë sot…