Tirana fitoi derbin, por edhe moralin…

Partizani – Tirana 1-2 (Bardhi 11’/Batha 8’, Kobina 90’+1)

Në mjediset futbollistike thuhet, se “derbi nuk luhet por fitohet”… Kjo nuk ndodhi në derbin e kryeqytetit. Tirana, jo vetëm fitoi, por edhe luajti. Bardheblutë, edhe pse “të plagosur”, pa trajner, me mungesa të ndjeshme titullarësh, ia dolën. Ata zhvilluan një ndeshje plot nerv, me luftë sportive, me mjaft dëshirë për të fituar, çka e arritën pas 18 ndeshjesh në 5 vite, edhe pse “in extremis”. E merituan. “Makthi” i derbit merr fund…

8’ – Halili pason te Torasa, krosim i tij para portës. Ndërhyn Batha me kokë dhe gol. 1-0 për Tiranën.

11’ – “Bombardohet” porta e Tiranës. Romero gjuan nga jashtë zone, Lika grushton. Gjuan Solomon dhe përsëri Lika, i cili goditjen e tretë të Bardhit nuk mundet ta ndalë në rrugën drejt rrjetës. Barazim 1-1.

90’+1 – Kundërsulm i shpejtë i bardhebluve të Tiranës. I riu Muçi gjuan, portieri Hoxha nuk arrin ta zotërojë topin. Ndërhyn Kobina dhe gol, Tirana, në epërsi 2-1.

4 minutat shtesë nuk sollën ndonjë të re, edhe pse bardhebluve këto minuta iu deshën të luajnë me 10 lojtarë, pas ndëshkimit të Kobinas me kartonin e dytë të verdhë, në çastin e shënimit të golit të fitores…

Këto ishin episodet e golave, të realizuar në një ndeshje të luftuar, të denjë për një derbi. Stadiumi modern Air Albania, si dhe tifozeritë respektive që mbështetën skuadrat e tyre, ia shtuan më tepër bukurinë dhe interesin këtij takimi, i pari i javës së 15-të të kampionatit të 81-të të Superiores.

Tirana fitoi me meritë takimin. Njëherësh edhe moralin e humbur, edhe dashurinë e tifozerisë bardheblu, e cila ka pritshmëri të mëdha ndaj futbollistëve që veshin këtë fanelë plot histori suksesh.

Edhe Partizani nuk luajti dobët, ndonëse gabimet i kushtuan edhe humbjen e derbit. Humbja e dytë në dy javë, nuk duhet anashkaluar thjeshtë si rastësi. Vendi i parë, me gjasa vetëm 24 orë do të zgjasë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!