Nisi në Kosovë, derbi i Prishtinës në “paqe”

Sot, me tri ndeshje, ka startuar Ipko Superliga e Kosovës. Feronikeli e nis me hap kampioni, ndërsa Llapi shfaq ambicie. Të dyja fitojnë nga 4-1, kurse derbi i Prishtinës mbyllet në 1-1.

Llapi-Vushtria 4-1 (Zabërgja 64′, 80′, Ramadani 87′,  Osmani 92’/Raboshta 19’)

Skuadra e Llapit arrin një fitore të thellë me përmbysje në fundin e ndeshjes. Edhe pse pjesa e parë ishte e barabartë, të parët kaluan në avantazh miqtë nga Vushtrria, me anë të shkodranit Jasmin Raboshta. Rezultati edhe mund të barazohej në të 30-tën, por goditja e Sebino Plakut u ndal nga shtylla. Në fraksionin e dytë gjithçka foli për Llapin. Sulmuesi Zabërgja me dopiedën e tij i dha epërsinë, ndërkohë që më pas Ramadani dhe Osmani me golat e tyre fiksuan fitoren e thellë 4-1 të Llapit në këtë ndeshje të pare të kampionatit.

Feronikeli-Drenica 4-1 (Rexha 41’, 67’, Da Silva 54’(p), Bojku 87’/Prokshi 80’)

Përballë Drenicës modeste, Feronikeli, kampioni i Kosovës në fuqi, nuk e pati të vështirë fitoren 4-1 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Kastriot Rexha çeli serine e golave në të 41-tën, për ta dyfishuar po vetë, në fraksionin e dytë të lojës. Da Silva e çon rezultatin në 3-0 nga pika e penalties, ndërkohë që Besmir Bojku, nga larg, fikson fitoren 4-1 të “Niklit”, ndaj rivalit lokal, që me Prokshin kishte shënuar më parë golin e “nderit”.

Flamurtari-Prishtina 1-1 (Bruqi 2’ / Januzi 14’)

Derbi i kryeqytetit të Kosovës, midis Flamurtarit pritës dhe Prishtinës mike, u mbyll në “paqe”. U realizuan vetëm dy gola të shpejtë, ndonëse rastet nuk munguan për të dyja skuadrat. Bruqi për Flamurtarit shënoi, pasi devijoi me kokë një top brenda zonës së Prishtinës në të 2-tën, ndërsa bardheblutë e Josës, barazuan me Januzin në të 14-tën, pas një gjuajtje të befasishme jashtë zonës. Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e barabartë midis dy skuadrave, me raste për gol dhe shtylla nga të dyja skuadrat, duke e justifikuar cilësimin si “derbi” i kryeqytetit të Kosovës. Gjithsesi, rezultati mbeti 1-1.

Nesër do të zhvillohen edhe tri ndeshjet e mbetura: Drita-Ferizaj, Dukagjini-Ballkani dhe Trepça ‘89-Gjilani, të cilat do të mbyllin edhe javën e parë të Ipko Superligës së Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!