Futbolli, në këtë fund-korriku të nxehtë…

Nga Erga Kruja Kenga

Katër skuadra shqiptare në Kupat e Europës dhe që të katërta, eliminohen në turin e parë. Nuk është ndonjë çudi. Kundështarët ishin më të fortë dhe eliminimi erdhi që nga përballjet e para. Dy humbjet nga 3-0 për Teutën dhe Kukësin ishin shumë të vështira për t’u përmbysur. Laçi bëri maksimumin, por ai gol i pësuar në fushën e vet, ka qenë fatal. Partizani luan mirë, i afrohet kualifikimit, por gabon dhe ndëshkohet.

Në total 8 ndeshje, ku 1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje, ishte bilanci i skuadra shqiptare në Kupat e Europës. Dikur nuk e diskutonim turin e parë, sot të gjunjëzuar. Pyetja është: A janë ngritur kundërshtarët, apo kemi rënë ne?

Gjithsesi, e favorizuar nga skema, Partizani ka edhe një shans për të mbajtur lart flamurin e futbollit shqiptar. Nesër, në “Selman Stërmasi”, në orën 17:30 do të përballet me moldavët e Sherif Tiraspolit për turin e dytë të Europa League. Pretendimi për një kualifikim të “të kuqve” të kryeqytetit, më tepër se dëshirë është një realitet. Shanset janë të barabartë.

Pasojat e eliminimit nga Europa më tepër i ndjeu skuadra e Kukësit. Presidenti Gjici, si përherë në të tilla raste, skualifikimin “ia faturoi” trajnerit. Kryeqytetasi Ernest Gjoka, i cili vetëm në prill ishte ulur në krye të kuksianëve, shkarkohet.

Përvoja e dytë e hidhur për të në raportet me presidentin Gjici. Përflitet që në krye të kuksianëve të ulet trajneri Ilir Daja, që i ka dhënë lamtumirën me kohë Flamurtarit. Konfirmimi pritet në ditën në vijim, ndërkohë ka hyrje-dalje. Ikin Çyrbja, Rrumbullaku, por vijnë Gavazaj e Kamara, teksa përflitet edhe emra të tjerë për t’iu bashkuar Kukësit.

Në këto ditë të nxehta fund-korriku, liçensimi i klubeve, por edhe merkato janë temat kryesore që diskutohen në media dhe mjediset sportive. Merkato është e varfër, në emra dhe cilësi. Gjithçka rrotullohet brenda për brenda, tregu i huaj “mollë e ndaluar” për shkak të financave modeste.

Luftëtari është klubi i parë që dorëzohet. Presidenti Tavo ngre duart zyrtarisht dhe e braktis skuadrën gjirokastrite. Pa trajner, pa president, pa futbollistë, ose me të tillë që shetisin rrugëve të Gjirokastrës, Luftëtari është në kolaps të plotë. Një situatë shumë e zymtë, ku askush nuk di të të përgjigjet nëse gjirokastritët do të luajnë në Superiore apo jo?

Duket se gjërat janë më mire te Vllaznia dhe skuadra jo vetëm ka kaluar kolapsin, por ka filluar të mendojë seriozisht për sezonin. Nën drejtimin e trajnerit maqedonas Mirsad Jonuz, shkodranët dje kanë zbritur në fushë dhe nisur stërvitjet. A do të shohim një Vllazniaë që do të luftojë për mbijetesë, apo kompetitive? Për këtë duhet të presim.

Sinoptika nuk është e mire edhe për vlonjatët. Flamurtari aktualisht është vetëm një skuadër në letër. Një kaos total, ku nuk ke se kë të pyesësh qoftë edhe për gjëra elementare, si fjala vjen, kur Flamurtari do të dalë në fushë.

Pas vendimit të CAS-it, e rënduar psikologjikisht është edhe gjendja e Skënderbeut. Presidenti Takaj denoncon dhe premton se do të vazhdojë rrugëtimin me skuadrën korçare, por gjithsesi Skënderbeu duket “i sëmurë” dhe ka nevojë të mjekohet.

Kurbinasit e Laçit përkohësisht janë pushim, ndërkohë që bardheblutë e Tiranës vazhdojnë përgatitjet në Ohër, duke bërë zhurmë dhe premtuar se do të jetë skuadër tjetër dhe me pretendime të mëdha, qoftë edhe për faktin që Tirana, këtë sezon të ri ka edhe 100-vjetorin e krijimit të saj si skuadër…

Për “ditët” në vijim nuk jemi në gjendje të bëjmë parashikime. Fund-korriku është mjaft i nxehtë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!