Kejn prish premierën e Sarrit, gol nga 50 m!

Juventus-Totenhem 2-3 (Higuain 56’, Ronaldo 60’/ Lamela 30’, Lukas 65’, Kejn 90’+3′)

“Epoka” Sarri për bardhezinjtë e Juventusi nisi me humbje në mesditën e sotme, në “National Stadium” të Singaporit. Në ndeshjen për “International Champions Cup” ata u ndeshën me Totenhemin e Mauricio Poçetinos, në kushte të vështira klimatike, por me një stadium të mbushur me 60 mijë shikues.

Herri Kejn me golin e shënuar në fundin e ndeshjet, e prishi premierën e Sarrit, i cili e nisi me Bufon në portë që nga minuta e pare dhe Kristiano Ronaldon të vendosur nga e majta me skemën 4-3-3. Ndërsa Poçetino paraqiti një skuadër me shumë emra të rinj, madje edhe pa Herri Kejn në sulm, duke përdorur rreshtimin 4-2-3-1.

Në të 6-tën Kristiano Ronaldo me një roveshatë u përpoq të zhbllokonte rezultatin, por Spërsat ishin të parët që kaluan në avantazh në minutën e 31-të me anë të Lamelës, pas një topit të përfituar nga Son. Juventinët rrezikuan me anë të Ronaldos dhe Mandzukiç.

Fraksioni i dytë ishte tjetër “muzikë”. Mjaft ndryshime në të dy skuadrat. Juventusi aktivizon Higuain, Demiral, Rabiot dhe Sheznji, ndërsa Totenhem hedh në fushë Kejn, Lukas Moura, Sisoko, Vertonghen e Foyth.

Nuk mungojnë edhe golat. Në të 50-tën Spërsat pretendojnë për një penallti të shkaktuar nga De Shiljo ndaj Lukas Moura, por loja vazhdon. Në të 56-tën “Pipita”, pas një topi të marrë nga Bernadeski, barazon në 1-1.

Në të 60-tën Kristiano Ronaldo do të shënonte dhe do ta kalonte Juventusin në epërsi, 2-1. Veç pas 4 minutash gjithçka do të ballacohej. Braziliani Lukas Mouro do t’i vidhte një top De Shiljos dhe do të vuloste barazimin 2-2.

Minuta e 63-të ishte edhe çasti i debutimit të qendërmbrojtësit holandez Matijs De Ligt me fanelën e tij të re të Juventusit. Por gjithçka nuk kishte përfunduar.

Në të 90-tën, kapiteni i Spërsave, sulmuesi Herri Kejn do ta prishte premierën debutuese të Sarrit në stolin e Juventusit. Me një gjuajtje nga 50 metra, duke pare edhe daljen nga porta të portierit Shezni, ai do të shënonte një gol perlë, atë të fitores 3-2 të Totenhemit.(video)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!