Roxher “fluturon” nga Kukësi në Riga…

Zbulohet vendndodhja e sulmuesit brazilian. I larguar fundjavën e shkuar nga skuadra e Kukësit pa një destinacion të caktuar, mësohet se Roxher Zhunior ka fluturuar nga Tirana në drejtim të kryeqytetit së Letonisë.
Madje, që nga dita e sotme, 23-vjeçari brazilian do të jetë pjesë e skuadrës së Rigas, kampione e këtij vendi balltik. Lajmi është bërë i ditur nga klubi letones, i cili i uron mireseardhjen në radhët e tij, sulmuesit brazilian.
Roxher Zhunior spikati në futbollin shqiptar teksa edicionin e shkuar ishte pjesë e skuadrës së Kastriotit. I huazuar nga kuksianët, sulmuesi 23-vjeçar brazilian u aktivizua në 33 ndeshje, duke shënuar edhe 10 gola me fanelën e kuqe të krutanëve.
Me fillimin e përgatitjeve të Kukësit për ndeshjet në Europa League, sulmuesi Roxher u pa në radhët e verilindorëve për t’u zhdukur befasisht. Sot mësohet se ai është bërë pjesë e skuadrës së Rigas, pjesëmarrëse në Champions League.
Te kampionët letonezë, braziliani Roxher Zhunior do të ketë edhe mbrojtësin Herdi Prenga, që ka qenë i thirrur në radhët e Kombëtares kuqezi.
