Holanda mposht Italinë, shkon në gjysmëfinale…

Kupa e Botës për Femra: Itali- Holandë 0-2 (Midema 70’. Van Der Grait 80’)
● Për herë të parë në histori, Holanda për Femra, në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Kampionët e Europës, presin fituesën e çiftit Gjermani-Suedi (18 30)
Ishin ankuar zyrtarisht në FIFA për orarin e ndeshjes por Holanda në Kupën e Botës që zhvillohet në Francë për femra, pas një pjese të dytë brilante, kalon në gjysmëfinale.
Futbollistja e Arsenalit, Vivianë Midema me golin e shënuar në minutën e 70’, i dha avantazhin Holandës ndaj Italisë në sfidën e luajtur në ‘Stade du Hainaut’ në Valenciens të Francës.
Në fraksionin e dytë, tulipanët u shfaqen mjaft të vendosura dhe pasi shënuan të parin, gjetën edhe të dytin me Van der Grait në të 80-ën.
Thujase fotokopje e golit të parë. Nga loja e ndaluar, harkim në zonë dhe goditje me kokë. Në të dy rastet portierja italiane Xhuliani, arrin të prekë sferën, por pa mundur të evitojë tundjen e rrjetës.
Më herët Holanda goditi shtyllën, ndërsa në finale, Italia u duk disi e dorëzuar. Hera e parë për holandezet në një gjysmëfinale të Kupës së Botës.
