Laçi stërvitje, por me veshë nga Nioni…

Temperaturat e larta të këtij qershori nuk e kanë penguar trajnerin Starova t’i nxjerrë në fushë dy herë në ditë futbollistët kurbinas. Laçi përngjan me një kantier “ndërtimi”. Punohet për plotësimin e organikës, por edhe për përgatitjen e skuadrës për konkurrimin në Europa League.

Tashmë, kurbinasit e kanë kthyer në rit pjesëmarrjen në eventet kontinentale. Mjafton të përmendim faktin, që në 8 vitet e fundit, skuadra laçjane ia ka arritur të kalojë në dy raste turin e parë në Europa League.

Dikush mund të thotë se këtë sezon, pati fat që e siguroi një biletë të tillë. Edhe mundet, por më tepër se sa fat, pjesëmarrja e Laçit në Europë është “fair” financiar, është profesionalizëm…

“Sporti im.al”, takoi me Gjonin, Jonuzin, amerikanin e porsa blerë Nuabueze dhe Xhixhën, pak para seancës të parë stërvitore të orës 9:30, që trajneri Starova zhvillon në aneksin pranë stadiumit.

Qendërmbrojtësi Gjoni, një nga lojtarët titullarë, u shpreh: “E presim me qetesi, shortin. Nuk kemi preferenca. Beer Sheva, fjala vjen, mire do të ishte të evitohej. Konkurenca në mbrojtje? Jam profesionist, luaj jo vetëm ne mbrojtje, por dhe pak para saj”,- deklaroi Eglantini, i cili sezonin që sapo u mbyll, u shfaq edhe si golashënues.

Ndërsa amerikani Nuabueze, një nga blerjet më të fundit të kurbinasve, tha: “Jam i lumtur që jam këtu, do bëj shumë gola”, ishte premtimi i sulmuesit të ardhur nga Drita e Gjilanit të Kosovës.

Pasdite, në orën 18:00, në kompleksin poshtë stadiumin futbollistët laçianë, nën drejtimin e trajnerit Starova, do të dalin sërish në stërvitje. Por sot, disi më ndryshe. Në orën 15:30, ata me siguri me sy veshë nga Nioni i Zcirës, do të jenë njohur me kundërshtarin e tyre në Europa League.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!