Përcaktohen finalet, 4 stadiume mikpritës…
Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar datat dhe oraret për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe U-17 për Kategorinë Superiore.
Do jenë katër stadiume që do presin këto finale, duke nisur nga e mërkura e 22 majit me finalen 17-vjeçarëve, Tirana-Shënkolli, që nis në orën 13:30 në stadiumin “Selman Sëtrmasi” në Tiranë.
Ndërkohë, po me 22 maj, në orën 16:00, në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, do të luhet finalja Tërbuni-Devolli, ku do të përcaktohet edhe kampionia për Kategorinë e Dytë.
Finalja e Kategorisë së Parë, ndërmjet Vllaznisë dhe Bylisit, do të luhet ditën e enjte, më 23 maj 2019, në orën 16:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Finalja e Kupës së 67-të të Shqipërisë, Kukësi-Tirana, do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” më 2 qershor 2019, ora 19:00. Kjo finale mbyll edhe sezonin 2018-2019 për futbollin shqiptar.