Edhe Fieri, stadium me parametra të UEFA-s
● Kapaciteti i stadiumit do të jetë 6000-8000 vende, ku FSHF do të subvensionojë 35% të projektit të investimit.
Pas stadiumit të Kukësit, Federata Shqiptare e Futbollit do të investojë edhe për ndërtimin e një stadiumi të ri në qytetin e Fierit. Për këtë qëllim, presidenti Armand Duka sot ka qenë në këtë kryeqendër të Myzeqesë.
Ai është takuar me kryebashkiakun Armando Subashi, dhe i shoqëruar nga presidenti i Apolonisë Koço Kokëdhima, kanë parë nga afër mjediset dhe kanë rënë dakort parimisht, për të ndërtuar një stadium të ri në qytetin e Fierit, i cili do të plotësojë kushte e kërkuara nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
“Federata Shqiptare e Futbollit prej vitesh po investon për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri. Shuma të mëdha janë investuar për ndërtimin e stadiumeve të rinj, ndërrimin e tapeteve në impiantet ekzistuese, vendosjen e sistemeve të ndriçimit si edhe ndërtimin e fushave stërvitore për disa klube.
Në kuadër të projekteve ambicioze që FSHF ka për përmirësimin e infrastrukturës, është edhe ndërtimi i një stadiumi të ri në qytetin e Fierit. Për këtë qëllim, Presidenti FSHF, Armand Duka, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, dhe Presidentin e klubit Apolonia, Koço Kokëdhima.
Në këtë takim është rënë dakort që të filloj puna për projektimin e një stadiumi të ri me kapacitet 6000-8000 vënde, në të cilin FSHF ka marrë përsipër 1/3 e investimit, me pjesën tjetër që do të duhet të investohet nga Qeveria dhe Bashkia Fier.
Shumë shpejt pritet të filloj puna dhe për ndërtimin e stadiumit të ri në Kukës, në të cilën Federata Shqiptare e Futbollit ka një rol të madh si investitori kryesor”, – njofton FSHF në faqen e saj zyrtare.
Ndërkohë, kryebashkiaku Subashi ka bërë me dije, se FSHF-ja do të marrë përsipër 35% të financimit të stadiumit të Fierit: “Me presidentin e FSHF-së biseduam dhe u dakortësuam për fillimin e punës nga projektimi, pastaj financimi e ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit. Falënderim për presidentin Duka, që në emër të federatës mori përsipër 35% të financimit”.