Shkëndija-kampione, vesh kuqezi Tetovën…

Tetova është në festë. Shkëndija, skuadra e futbollit, ka veshur kuqezi qytetin e saj, duke u konfirmuar si më e mira në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.

Në javën e 35-të, ndeshja e fundit në stadiumin e saj “Ekolog Arena”, skuadra kuqezi e Tetovës mundi 4-1 skuadrën Akademia Pandev, duke u ngjitur në kuotën e 79 pikëve, 16 më tepër nga rivali saj i përvitshëm, Vardari që e ndjek nga pas.

Dy skuadra e tjera shqiptare në Ligën e Parë të futbollit maqedonas, Shkupi dhe Renova,  takimin midis tyre e kanë mbyllur në barazim, 2-2. Shkupi renditet në vendin e pestë me 45 pikë, i ndjekur nga Renova me një pike më pak.

Në të vërtetë, titullin kampion skuadra kuqezi e Tetovës e ka fituar edhe matematikisht qysh katër javë më parë, pas fitores 1-0 në ndeshjen ndaj Rabotniçkit.

Titulli kampion i këtij sezoni, ku Shkëndija nuk ka njohur rivalë, është i treti në historinë e skuadrës tetovare, të formuar në vitin 1979 në Maqedoninë e Veriut.

Javën e ardhshme dhe të fundit për kampionatin elitar të futbollit maqedonas, Shkëndija do të luajë në transfertë ndaj Renovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!