Rikthimi emocionues i Musollit…

Pas afro 7 muajsh, të mërkurën në ndeshjen ndaj Laçit, skuadra kuksiane rigjeti kapitenin e munguar. Mesfushori Besar Musolli aktivizohet në radhët e “bluve” verilindor. Zëvendësoi sulmuesin Shkurtaj në minutën e 66-të.

Cuculi i jep shiritin e kapitenit dhe Musolli sillet si i tillë në fushë.Paçka se pas disa minutave ia kthen sërish shiritin Cuculit. Punë xhentillmënsh. Loja e kuksianëve merr të tjera ngjyrime, bëhet më e rrezikshme. Dhe fund, në minutën e 87-të, Limaj do të shënonte edhe supergolin e fitores për Kukësin.

“E prisja debutimin. Me thënë të drejtën është dëmtim i vështirë, që nuk ia uroj akujt. Ishin emocione të forta, që nuk i kisha përjetuar asnjëherë”, thotë Musolli për RTSH, ndërkohë që më tej flet edhe në lidhje me vështirësitë që ka pasur gjatë periudhës së rikuperimit.

“E kam thënë se është vështirë, por me ndihmën e shokëve dhe familjes ia dola. Trajneri i ri ka sjellë ndryshim, sidomos fitorja me Laçin. Ekziston frika dhe iu shmangësh dueleve, por kam folur me doktorët dhe ata që e kanë kaluar këtë dhe më është thënë se mund të luash në 100 për qind”, shton mesfushori.

Në lidhje me të ardhmen, apo se çfarë ka biseduar me presidentin Safet Gjici, Musolli tha: “Ideja ishte të kthehesha të luaja. Kam pasur disa takime me presidentin, më kërkoi të isha pranë ekipit sa më parë. Kaq ka qenë e gjitha”.

Rinovimi i kontratës? “Nuk kemi folur ende. Kisha një dëmtim. Falënderoj ekipin. Si kapiten do marr përgjegjësitë dhe uroj të jem lojtari që do e çoj ekipin sa më lart”, përfundoi fjalët e tij Besar Musolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!