Flamurtari-Teuta, rrokadë vendesh…

Flamurtari-Teuta 3-1 (Ribaj 2’, Sukaj 56’, Batha 91’ (p) /Traore 65’)

Pikiada e “djemve të detit” të Teutës, vazhdon thuajse me të njejtin ritëm dhe intensitet. Pas humbjes katastrofike 5-0 ndaj Laçit në transfertë, sot ata sërish humbin.

Natyrisht jo me ato shifra të thella, por me pasoja më të rënda. Durrsakët humbin 3-1 në Vlorë, por kuqezinjtë e Flamurtarit ndërrojnë vendet dhe i rrëmbejnë edhe vendin e tretë Teutës.

Djemtë e Dajës e nisën me gol nga tuneli këtë sfidë delicate. Ribaj i befason durrsakët që në minutën e 2-të dhe 1-0 për Flamurtarin. Do të ishte shkodrani Xhevahir Sukaj, ai i cili në të 56-tën do ta çonte epërsinë e vlonjatëve në 2-0.

U duk sikur durrsakët po reagojnë pas golit të Traores, pasi kishte ende edhe 25 minuta loje. Por jo. Durrsakët u treguan të paaftë të ndryshonin rrjedhën e lojës. Madje në minutën e pare shtesë, Batha fiksoi rezultatin 3-1 për Flamurtarin nga pika e bardhë e penalltisë.

Me këtë fitore, Flamurtari ngjitet në vendin e tretë, me 44 pikë, një më tepër se Teuta dhe 3 më shumë se Laçi, dy skuadra të tjera që garojnë për një vend në kupat e Europës.

Trajnerët deklaruan pas ndeshjes:

Ilir Daja (Flamurtari): “E kishim menduar ta nisnim vrullshëm takimin dhe sot për fat të mirë na shkoi mirë ky plan. E filluam mirë dhe mund të kishim dyfishuar, por më pas iniciativën e mori kundërshtari. Golat mendoj se na erdhën në momentin e duhur, pikërisht kur kundërshtari po na vinte në vështirësi. Është fitore e merituar, pasi mposhtëm ekipin e vendit të tretë dhe e parakaluam”.

Bledi Shkëmbi (Teuta): “Nuk po arrijmë ta kuptojmë, pasi po gabojmë rregullisht dhe për fat të keq, po gabojmë me lojtarët më me eksperiencë, nga të cilët presim të na japin qetësi. Pësuam një gol të shpejtë dhe u munduam të reagojmë, por morëm një tjetër gol. Rihapëm takimin dhe kishim besim se mund ta përmbysnim rezultatin, por kundërshtari bëri mirë punën e tij. Mendoj se duhet të reagojmë shpejt dhe këtë herë do të marr masa, të cilat ndoshta nuk do t’u pëlqejnë të gjithëve, por që janë të domosdoshme për të mirën e skuadrës”.(Supersport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!