Stërling: Racizmi luftohet… me fitore!

Sulmuesi i Anglisë dhe i Sitit, Rahem Stërling, tregon se e ëma e ka mësuar të jetë krenar për ngjyrën e tij dhe se fitorja, është përgjigjja më e mirë ndaj shfaqjeve të racizmit

Edhe pse flitet shumë, edhe pse ndërmerren fusha sensibilizuese, madje edhe UEFA e ka si sllogan të saj luftën kundër racizmit, përsëri kjo dukuri ekziston. Shoqëria, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit kulturor apo ekonomik, nuk ka mundur ta zhdukë atë. “Viktima” të racizmit, natyrshëm që bie më të mirët, më të spikaturit në radhët e futbollistëve me ngjyrë.

Mesfushori i shquar afrikan Jaja Ture, para pak ditësh, duke folur rreth kësaj dukurie, u shpreh dhe u bëri thirrje lojtarëve që të braktisin ndeshjet, nëse “viktimë” e koreve raciste bie qoftë edhe një prej futbollistëve me ngjyrë.

Por nuk ka qenë i këtij mendimi sulmuesi me ngjyrë i Anglisë dhe i Mançester Sitit, Rahem Stërling. 24-vjeçari, që së fundmi ishte “viktimë” e këtyre korreve raciste në transfertën e Anglisë ndaj Malit të Zi për Euro 2020, mendon ndryshe. Për të luftuar këtë dukuri të shëmtuar, britaniku Stërling tregon se e ëma e ka mësuar që në vegjëli, se fitorja e ndeshjes është përgjigjja më e mirë ndaj shfaqjeve të racizmit.

“Nuk mendoj se po tentoj të bëj diferencën. Unë tregoj atë që më ka ndodhur dhe njerëzit e shohin nga perspektiva ime. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të ecur para. Nuk jam dakord që lojtarët duhet të largohen nga fusha kur ofendohen. Fitimi i ndeshjes do i lëndojë më shumë atë që këndojnë kore raciste, të cilët tentojnë që të dekurajojnë. Nëse ti largohesh nga fusha, fitojnë ata, kështu që është më mirë të qëndrosh dhe të fitosh ti”, – thekson lojtari i lindur në Xhamajka. Sulmuesi i “Qytetarëve” zbulon dhe një detaj gjatë fëmijërisë së tij. Forca e tij e madhe buron nga këshillat e nënës së tij.

“Duke u rritur, nëna ime ma ka përsëritur gjithmonë që jam një djalosh i zi i mrekullueshëm. Jam krenar dhe i lumtur për ngjyrën time të lëkurës. E di që abuzimi nuk është i mirë. Ai të infekton dhe disa njerëz nuk e përballojnë dot. Nëna ime ka insistuar gjithmonë gjatë rritjes time që ta dua veten.”

Sterling ka luajtur për tri sezone me Liverpulin përpara se të kalonte te Siti në vitin 2015. Ai është rritur në Londër, aty ku ka kaluar për mrekulli, ndërsa racizmin e provoi për herë të parë në qytetin e “Beatles”, në Liverpul.

“Në Londër ka bashkësi të ndryshme dhe në klasë kam qenë i rrethuar nga njerëz të çfarëdolloj race apo ngjyre lëkure. Nuk më ka rastisur të ndjej racizmin në Londër, ndërsa disa episode më kanë ndodhur në Liverpulin verior. Aty provova për herë të parë se çfarë do të thoshte racizëm”,– përfundon lojtari i kombëtares angleze Rahem Stërling.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!