Falimentoi, braktis kampionatin kombëtar
Çudirat nuk kanë të sosur në futbollin shqiptar. Kur sezonit po i vjen fundi, pasi ka zhvilluar edhe 18 javë kampionat, skuadra e Termit, me qendër në kryeqytet, bojkoton kampionatin kombëtar të Kategorisë së Dytë. Argumenti justifikues, pamundësia financiare e klubit sportiv për të përballuar deri në fund garën.
Rasti i Termit nuk është i pari në futbollin shqiptar, që një skuadër ndërpret pjesëmarrjen nga kampionati kombëtar për mungesa financiare. Më herë, që pas javës së 7-të në këtë kampionat të Kategorisë së Dytë, ishte skuadra e Kevitanit, e cila e braktisi garën për të njejtin motiv.
Gjithsesi, në kampionatin e Kategorisë së Dytë, tani do të kemi dy skuadra të larguara, nga një për çdo grup. Sipas rregullores, meqë skuadra e Termit ka zhvilluar më tepër se sa 50% të ndeshjeve, asaj nuk do t’i zerohen pikët e grumbulluara, por rivalët e mbetur të saj do t’i marrin 3 pikët në tavolinë.
Këtë të dielë, këtë “fat” e pati ekipi i Gramozit, i cili duhej të luante në kryeqytet me skuadrën e Termit, që edhe mbyll tabelën e renditjes në grupin B të këtij kampionati. Veç 3 pikëve të ndeshjes, skuadra e Ersekës kurseu edhe lekët e shpenzimeve të udhëtimit për në kryeqytet.