Laçi pranë mrekullisë, kalon Tirana…

Laçi provë brilante, vendos në vështirësi Tiranën e çoroditur. Kjo e fundit, kualifikim me vuajtje në gjysmëfinalet e Kupës së 67-të të Shqipërisë…

Laçi – Tirana 2-0 (0-3) (Shtubina 29’, Çokaj 48’)

Laçi pranë mrekullisë. Edhe pse ndeshja e vajtjes kishte folur tërësisht për  Tiranën, e sotmja në të kthimit në stadiumin “Laçi”, ka ofruar një supersfidë me protagonistë bardhezinjtë. Starova në mungesë të Najdenov dhe Fangaj, por dhe gjëndjes së komplikuar shëndetësore të sulmuesit Xhixha, hodhi në fushë disa nga lojtarët më të mirë të organikës së tij.

Fillimi i lojes dha impaktin e shpejtë se vendasit, do provonin të bënin “namin”. Nga ana tjetër, Tirana me shumë besim te shifrat e takimit të parë, e nis lojën shumë ngadalë. Me epërsinë territoriale të Laçit, shkohet  deri në minutën e 29-të, ndërsa Shtubina pas një koordinimi mjaft të mirë në zonë, kalon Laçin në epërsi. Më herët, skuadra e Memës, ia afrua ndjeshëm golit, por sulmuesit bardheblu, edhe pse të vetëm me Selmanin, nuk shtyjnë për në kuadrat.

Me golin e avantazhit në favor, por dhe me detyrimin e dy golave të tjerë, të besuarit e Starovës, e nisen me po aq vrull fraksionin e dytë. Dhe Çokaj i shërbyer nga e djathta, në të 48’ realizon një tjetër gol mjeshtëror. Tirana në panik dhe Laçi me bindjen se mund t’ja dalë. Dueli  mes sulmit vëndas dhe mbrojtjes mike, vijon për disa minuta, por sërish Tirana në kundërzbritje, ka mundësinë e artë për të gjetur golin. Sërish sulmuesit bardheblu, nga “2 metra” hezitojnë të mbyllin ndeshjen. 

Në të 60’, Starova merr sinjalin e keq nga futbollisti më i mirë në fushë, Çokaj. Shkodrani përplaset në mesfushë me futbollistët kundershtarë dhe nuk mund të vijojë më tej lojen. Në skenë thirret Xhixha. Sulmuesi hodhi tej temperaturat e larta dhe  nis të luajë. Madje nga këmbët e 20-vjeçarit, do të vijë një supergoditje “alla mesi”, teksa sfera megjithese ka mundur Abibin, ndalet nga shtylla pingule në të majtë.

Skuadra  e Tiranes, sheh në horizont dështimin, por Hasani, ndër më aktivët për bardheblutë,  merr përsiper të luajë pambarimisht topin e të sherbejë.  Sidoqoftë, bardhezinjtë janë ata që insistojnë nga të gjitha anët. Konsumimi i energjive erdhi duke u ndier, aq sa në 10 minutat e fundit, skuadra vuajti goxha për të qenë me fuqitë e pjesës së parë.

Pas 5 minutave shtesë, gjyqtari Xhaja, i kontestuar për dy penallti të padhëna ndaj Laçit, ka sinjalizuar mbarimin e takimit me Tiranën që kalon në gjysmëfinalet e Kupes së Shqipërisë.

Fair-play në fushë…

Për shkak të tensionimit  në takimin e fundjaves për kampionat, luajtur fundjaven e kaluar, takimi i sotëm, në Laç, pritej të ishte inxehtë, më me ego e më luftarak. Në fakt, përpos ndonjë episodi  sporadik, sot organizatorët kurbinas, kishin marrë masa mjaft të mira dhe ndeshja evidentoi faktin se kur palët arsyetojnë, dinë të bëjnë gjëra të mira. Shumë domethënes fund takimi, teksa futbollistë e trajnerë, u ndanë me shtrëngim duarsh. Madje tekniku Tiranas, Mema, me përqafimin një për një të lojtarëve bardhezi, u duartrokit nga i gjithë “paneli’ në shkallët e stadiumit “Laçi”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!