Partizanin e mbajnë “gjunjët”, titulli në “derë”

Isuf Myrtaj
Kukësi nuk arrin të hapë kampionatin, Asani madheshtor. Në “Loro Boriçi”, Kukësi-Partizani 1-1. Rexhinaldo 55′. Asani 68′ (Pen)

Ajo që mund të konsiderohej si ndeshja vitrinë e Kampionatit të 80-të Kombëtar të fubollit, qëlloi të luhej në tempullin e futbollit shqiptar – Shkodër. Kukësi dhe Partizani, në betejen e fundit për të ndarë “racionet” e këtij galopimi prej 26 javësh, zhvilluan 90 minuta të luftuar, paçka se në fund, skuadra që buzëqeshi ishte Partizani.

Për Ndreun, debutimi ndër më të vështirët. Aryeja e thjeshtë. Që në krye të herës, kërkohen pikët maksimale.  Mision i vështirë, duhej mundur ekipi kryesues. Me çdo kusht.

Ja që futbolli ta jep këtë mundësi. Së paku për disa minuta. Dhe skuadra kuksiane e cila dukej se e kishte të qartë se çfarë kërkonte në fushë, pas një pjese të parë më së shumti të dominuar, arrin të zhbllokojë sapo nis e dyta me supergolin e mozambikasit Rexhinaldo.

Ndreu beson, se është dita e tij, po ashtu presidenti Gjici që me gjasë, ka kaluar në mëndje se kjo formulë zgjedhjeje prej tij, po ecën. Së paku në këtë takim.

E ndërsa verilindorët menduan se ia dolën, në fron ngjitën ata që kanë kryesuar që në kohë të “lashtë”. Gega nga pozicioni në pankinë ndryshon stil loje, i jep më shumë gjatësi skuadres dhe kërkon të qarkullojë dendur nga krahët.

Presioni zgjat fare pak pasi një gabim foshnjarak i mbrojtjes së Kukësit për të larguar thjesht topin, shfrytëzohet mjaft mirë nga vija e parë e kuqe. Protagonist Asani, ndër më të mirët në fushën e lojes, futet në zonë dhe fiton një penallti.

Goditjen e merr vetë përsipër duke e depozituar në rrjetë. Minutat në vijim, janë duel i vazhdueshem mes sulmit vendas dhe mbrojtjen kryeqytetase. Manovra kalon nga të gjitha këmbët. Përjashto Shkurtajin. Në 90 minuta, vlonjati bëri aq pak sa dukej… sikur  “dukej”.

Megjithatë, Partizani me më pak kujdes dhe mund të ndëshkonte. Gjyqtari Jorgji, në ditë mjaft të mirë, pas pesë minutave shtesë, i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes.

Shifrat e barabartë dhe Partizani që feston. Me mjaft finesë, Gega pas takimit, u përpoq ta fshehë entuziazmin e ligjshëm… Partizani, kur kanë mbetur shumë pak “metra” deri në finish, është me sytë nga titulli që i mungon prej 26 viteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!