Familja bardheblu në zi, shuhet Ali Mema…
Flamuri bardheblu është ulur sot në gjysmështizë. Një nga ikonat e futbollit të Tiranës, mesfushori legjendar i bardhebluve dhe ekipit kombëtar, zyrtari e zv.trajneri i shquar i skuadrës kryeqytetase, Ali Mema, është ndarë nga jeta.
Lajmi bëhet i ditur nga klubi kryeqytetas i Tiranës, i cili nëpërmjet një njoftimi në Facebook, i fton sportdashësit për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës bardheblu Ali Mema, ceremoni, e cila do të mbahet nesër, nga ora 10:00 dei më 12:00, në mjediset e stadiumit “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
“U prehsh në paqe Ali Mema
Është ndarë sot nga jeta Ali Mema, një nga ikonat e familjes bardheblu. Ish futbollist, trajner dhe pjesë e rëndësishme e historisë së klubit. Ali Mema është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Klubi i Futbollit Tirana i gjëndet pranë familjes Mema në ketë moment të veshtirë. I gjithë komuniteti bardheblu ngushëllon trajnerin e Tiranës Ardian Mema për humbjen e babait të tij.
Homazhet do të mbahen nesër, nga ora 10:00 – 12:00 pranë stadiumit “Selman Stermasi”. Lamtumirë kampion!”,- shkruan zyra e shtypit e klubit të Tiranës.
“Sporti IM”, gjithashtu i shpreh ngushëllimet e tij tërë familjes bardheblu për humbjen e një legjende si Ali Mema, i cili ka shkruar historinë e futbollit kryeqytetas, por edhe atë shqiptar. Ngushëllimet shkojnë për familjen Mema dhe në veçanti, për trajnerin e bardhebluve Ardian Mema për humbjen e babait, figurë për të cilin ai duhet të jetë krenar…
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Ali Mema, ka fituar 4 tituj kampioni me Tiranën (1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970), si dhe një Kupë të Shqipërisë (1963). Ndërkohë, si zv.trajner i bardhebluve, ai ka fituar edhe 3 tituj të tjerë të kampionit kombëtar (1981-1982, 1984-1985, 1996-1997).
Biografia e këtij legjende të familjes tiranase është e mbushur edhe me mjaft tituj si “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, etj., që ngjisin atë në panteonin e lavdisë së klubit të Tiranës.