Panuçi dhe “steka” e kombëtares…
Nga Bashkim Tufa
Që nga e shtuna e 23 marsit, një ditë pas humbjes me Turqinë për eliminatoret e Euro 2020-s, trajneri italian Kristian Panuçi nuk është më në krye të stolit kuqezi të kombëtares sonë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dëgjoi thirrjet “vaffanculo” në Shkodër dhe mori vendimin për shkarkimin e trajnerit Panuçi.
Mirë bëri. Madje, ndoshta një gjë e tillë duhej bërë që pas humbjes ndaj Skocisë. Por populli ynë ka shprehjen: “më mirë vonë se sa kurrë”, që të ngushëllon…
45-vjeçari italian Kristian Panuçi, i 11-ti trajneri i huaj që ulet në krye të pankinës kuqezi, gjatë 20 muajve që drejtoi kombëtaren tonë, dëshmoi se nuk qe i aftë të ndërtonte ekipin që duan dhe bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët, anekënd botës.
Në sprovën e tij të parë serioze, italiani dështoi. Gjatë drejtimit të 15 ndeshjeve në krye të kuqezinjve tanë, ai arriti 4 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje, me golaverazhin negative 8-24!
Trajneri Panuçi nuk mundi ta kapërcejë “stekën” e De Biazit. Lartësi marramendëse… E vështirë ta kalojë kushdo. Do të duhet shumë fat, do të duhen shumë vite…!
Përpos rezultateve që dëshmuan paaftësinë profesionale të teknikut italian Kristian Panuçi, “rasti Panuçi” vërtëtoi edhe një herë aksiomën e famshme të futbollit ndërkombëtar, se “Jo çdo lojtar i shquar mund të bëhet trajner madh!”…
Pankina kuqezi ka mbetur “bosh”. Ankandi dhe quiz, tashmë ka nisur…