Panuçi: Shpresoj të jetë vendimi i drejtë…
Pas 15 ndeshjesh, në të cilat arriti vetëm 4 fitore, 2 barazime dhe rregjistruar 9 humbje, Kristian Panuçi nuk është më trajner i kombëtares shqiptare. Humbja 2-0 me Turqinë, në mbrëmjen e së premtes i kushtoi shumë trajnerit italian.
45-vjeçari largohet nga pankina kuqezi, pasi e drejtoi atë për thuajse dy vite. Thirrjet “vaffanculo” të tifozerisë kuqezi, mesa duket e detyruan presidentin Duka, të bëjë divorcin me trajnerin italian të kombëtares.
Panuçi është larguar me avionin e parë për në Romë, mëngjesin e së shtunës. Përpara nisjes, në një intervistë për Top Channel, Panuçi zbardh vendimin e presidentit Duka.
“Ishte një vendim i presidentit dhe unë e pranoj. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe falënderoj të gjithë Shqipërinë. Punova në qetësi të plotë falë presidentit Duka, por në fund rezultatet nuk ishin të mira dhe presidenti vendosi që të më largojë.
Ishte diçka shumë e rëndësishme që të isha trajner i një kombëtareje, për këtë arsye i detyrohem të gjithëve një FALEMINDERIT”, tha Panuçi për Top Channel.
“Ka gjithmonë një fajtor dhe në këtë rast unë jam përgjegjës. Njerëzit kur humbet Shqipëria vuajnë, në fakt vuaj edhe unë. Gjithsesi kam shumë respekt për të gjithë shqiptarët.
I kam falendëruar sot në mëngjes të gjithë lojtarët për gjithçka që më kanë dhënë deri në momentin e fundit. Uroj që të bëjnë gjëra të mira do të jenë gjithmonë në zemrën time”, shtoi ish trajneri i kuqezinjve.
Pyetjes nëse kjo skuadër ka shanse për të bërë më mirë dhe a ishte ky vendim i duhur, Panuçi iu përgjigj…
“E uroj këtë. Shpresoj që ky të jetë një vendim i drejtë, por vetëm koha do ta tregojë”.