Laçi hap garën për titull…

Mund të fërkojnë duart Teuta dhe Kukësi. Kjo pas përfundimit të javës së 22-të teksa “pazlli” i renditjes u plotesua me ndeshjet e fundit të ditës.

Merita pa dyshim i shkon kurbinasve, të cilët sot kaluan minimalisht Partizanin kryesues, në shifrat 1-0. Një 11-metërsh i dyshimtë për vendasit, i shndërruar në gol nga Shtubina, iu ka mjaftuar bardhezinjve të sigurojnë fitoren e parë kalendarike të vitit 2019. Për herë të parë teknikun e të kuqve nuk e mbajne nervat, duke u shprehur pas takimit se skuadra e tij u penalizua nga gjykimi.

Përveç këtij çifti, të dielën u luajten edhe tri takime të tjera. Flamurtari kalon bindshëm Skënderbeun “heterogjen”, duke i shënuar dy herë e fituar “metra” në klasifikim. Ndërkohë dueli i mbijetesës Kamza – Kastrioti i buzëqesh krutanëve. Bledar Devolli me të tijtë, po bën mrekullinë në këtë start të fazës së tretë. Fitorja në limite e ka futur tërësisht në kolaps skuadrën e periferisë së Tiranës. Në fund të ndeshjes tekniku Gjoka i Kamzës ka dhënë dorëheqjen.

Edhe sfida mes Tiranës e Luftëtarit u përshkua nga emocione të shumta. Gjirokastritët, sikurse krutanët, e kanë nisur me marsh të lartë gjysmën e dytë të kampionatit të 80-të kombëtar, ndërsa i befasuan për 92 minuta bardheblutë, po aq produktivë në këtë vit kalendarik. Në fund Tiranën e shpëtoi një supergol i Kobinas. Gjithsesi, kryeqytetasit humbën një mundësi të artë për t’iu bashkuar skuadrave që pretendojnë Europën.

Më herët, të premten, Teuta dhe Kukësi kishin diskutuar kryendeshjen e javës së 22-të në “Niko Dovana”. Të zotët e shtëpisë, falë një super-Progni dhe lojës në rritje, ia dolën t’i mundin verilindorët në shifrat 2-1. Ekipi nga Kukësi, humbi 11-metërsh në fund të ndeshjes, duke bërë që dëshpërimi në kampin e tyre të rezultonte i madh. Pasoja e parë, mesa gjasa mund të jetë largimi i teknikut Cungu.

Kampionati tani është në pikën kyçe të sezonit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!