Ikën edhe Gjoka, i treti në radhë…

Pankina e Kamzës është bosh. Me shumë gjasa, trajneri Ernest Gjoka nuk do ta drejtojë më skuadrën e Kamzës.

Pas ndeshjes të së dielës Kamza – Kastrioti për javën e 22-të të Superiores, të cilën kamzalinjtë e humbën 1-0, tekniku kryeqytetas do të deklaronte për Supersport, se ai do ta rishikonte pozicionin e tij për të vazhduar më tej punën si trajner i skuadrës së Kamzës.

Shkak për një vendim të tillë, sipas Gjokës, janë marrëdhëniet e tensionuara midis presidentit Qarri dhe kryebashkiakut Mziu, si bashkaksionerë të skuadrës së Kamzës, gjë që si pasojë ka sjellë edhe mungesën e rezultateve sportive.

Pas humbjes 1-0 të ndeshjes ndaj Kastriotit, skuadra e Kamzës me 16 pikët e grumbulluara zbriti sërish në vendin e fundit në klasifikim, duke e vështirësuar në tepër pozicionin e saj në luftën për mbijetesë në Superiore.

Nëse fjalët e trajnerit Ernest Gjoka nuk qenë një show mediatik, çka do të konfirmohen në ditën e sotme, atëherë largimi i trajnerit kryeqytetas do të jetë i treti në radhë për pankinën kamzalije.

Skuadra e Kamzës kampionatin e 80-të të Kategorisë Superiore e startoi me në krye trajnerin Bledar Devolli, i cili në javën e 3-të u shkarkua për t’u zëvendësuar nga Klodian Duro, jetëgjatësia e të cilit zgjati deri në javën e 12-të. Në javën e 14-të, në krye të pankinës së Kamzës u ul trajneri Ernest Gjoka, i cili me gjasa pas javës së 22-të nuk do ta drejtojë më ekipin e Kamzës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!