Festa, tifozët e Lidsit përplasje me policinë
Pas fitores së djeshme 3-1 ndaj Derbi Kauntit, skuadra e Lidsit u shpall kampione në Championship, duke fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Premier League sezonin e ardhshëm në futbollin britanik.
Pas ndeshjes, një grup tifozësh prej 7000 vetësh, janë mbledhur në sheshin Milenium të Lidsit për të festuar suksesin e skuadrës së tyre, por këto festime kanë degjeneruar në dhunë me forcat e policisë.
“Të dielën (19 korrik), pothuajse 7.000 njerëz u mblodhën në sheshin Milenium në Lids; ndërsa shumica e tifozëve po shijonin dhe po festonin, por kishte edhe një pakicë të vogël njerëzish, që filluan të hedhin shishe te oficerët e policisë.
Një oficere femër pësoi një dëmtim të rëndë në kokë dhe u dërgua në spital për trajtim, ndërsa një numër oficerësh të tjerë, pësuan lëndime të lehta, ndërkohë që edhe 15 tifozë janë plagosur”, deklaroi ndihmësi i shefit të policisë së Uest Jorkshirit.