Vllaznia në Austri jo vetëm për fazë përgatitore…

Fitoi testet me Traiskirchen 1-0 dhe Laftnitz 2-0 por Klubi Vllaznia ndërsa përgatitet në Austri, po impenjohet edhe me zgjerimin e bashkëpunimit me klube të mëdha si Rapid Vienë.

Klubi i Vllaznisë ndodhet në Austri, aty ku po zhvillon fazën përgatitore për Ligën e Konferencës, rrugëtim të cilin shkodranët e nisin në turin e dytë më 21 korrik përballë rumunëve të Universitatea Krajovë.

Gjatë qëndrimit në Austri, Vllaznia ka zhvilluar edhe dy miqësore me skuadra vendase të cilat i ka fituar 1-0 dhe 2-0, ndërsa sot pritet të luajë miqësoren e tretë dhe të fundit përballë skuadrës Al Ali (Katar).

Përveç përgatitjeve për ndeshjet e Europës, Vllaznia e ka shfrytëzuar qëndrimin në Austri edhe për të lidhur bashkëpunimin me klubin e Rapid Vjenës. Përfaqësues të klubit shkodran, me në krye presidentin Alban Xhaferi, kanë qenë të ftuar në miqësoren e djeshme mes Rapid Vjenës dhe Sëlltik Glasgou.

Më tej, presidenti i klubit austriak ka qëndruar më gjatë me delegacionin e Vllaznisë duke i prezantuar ambientet e stadiumit, organizimin dhe funksionimin e klubit të tij.

Siç njofton Klubi i Vllaznisë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, një tjetër takim me Drejtorin e Akademisë së Futbollit të Rapid Vjenës do të mbahet të hënën për të diskutuar më shumë detaje rreth këtij bashkëpunimi i cili synon zhvillimin dhe promovimin e elementeve të rinj./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!