FSHF, takim me anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Duka…

Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër ka zhvilluar sot një takim pune me të gjithë anëtarët, ku morën pjesë edhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit për të diskutuar në lidhje me rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e mëtejshëm e futbollit, me synimin për të përmirësuar organizimin.

Të pranishëm në këtë mbledhje që u zhvillua në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit, Aldi Topçiu, Përgjegjësi i futbollit të fëmijëve, Andi Zëre si edhe përfaqësues të tjerë të FSHF dhe SHRF Shkodër.

Mbledhja u drejtua nga kryetari i SHRF Shkodër, Lazër Matija, ndërkohë që morën pjesë edhe Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri dhe drejtues të gjitha klubeve dhe akademive që janë janë anëtarë të kësaj shoqate.

Fillimisht Presidenti Duka falënderoi anëtarët e shoqatës për kontributin dhe punën e madhe që kanë bërë gjatë këtij viti, ndërkohë që theksoi se këto takime janë të rëndësishme për të shkëmbyer mendime dhe ide për të përmirësuar sa më shumë proceset organizative dhe për të pasur rendiment sa më madh në çdo drejtim. Gjithashtu, ai nxiti përfaqësuesit e SHRF Shkodër që të jenë sa më aktivë me projekte, ide dhe sugjerime që mund të sjellin sa më shumë risi për futbollin.

Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë gjithmonë në mbështetje të shoqatave dhe në funksion të zhvillimeve të klubeve me programe trajnimi dhe iniciativa të ndryshme me synim zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe zbulimin e sa më shumë talenteve që do të shërbejnë në të ardhmen për klubet dhe ekipet Kombëtare.

Sakaq, takimi u fokusua në çështjet e organizimit të kampionateve, strategjisë së FSHF-së dhe programet e dedikuara për zhvillimin e futbollit të zonës, bashkëpunimin me klubet profesioniste për nevojat e ekipeve të para, rëndësia e futbollit të bazës në funksion të futbollit profesionist, si edhe e drejta e formimit dhe përfitimet që kanë akademitë nga kjo e drejtë.

Theksi u vu edhe në nevojën e bashkëpunimit të klubeve profesioniste me futbollin e bazës për talentet apo bashkëpunimi me aktorët lokalë për zhvillimin e futbollit si edhe nevojën e sponsorizimeve për të rritur të ardhurat.

Ndërsa, Drejtori Teknik i FSHF, Fulvio Pea, prezantoi edhe planin teknik për zhvillimin e elementëve të talentuar dhe metodologjinë e punës së trajnerëve me moshat, duke përfshirë edhe rolin e një drejtori teknik në çdo shoqatë. Kurse Drejtori i Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit, Aldi Topçiu, i përditësoi anëtarët e SHRF Shkodër me rregulloret për të drejtën e formimit të futbollistëve të rinj./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!