Tirana shkund Kastriotin, ikën trajneri Çela
Abissnet Superiore, Java 13:
Tirana – Kastrioti 4-0 (Xhixha 14′, Kallaku 36′, Patrik 45′, Nikqi 83′)
- Tirana shfaqet spektakolare përgjatë gjithë takimit, kampionët shënojnë bollëk golash dhe dhurojnë spektakël. Kastrioti në hije, ikën ai që e “ngjalli” edicionin e kaluar dhe po bënte mirë edhe këtë edicion. Emiljano Çela deklaroi largimin nga Kastrioti.
Java e 13-të e Abissnet Superiore u mbyll me fitoren e pastër të Tiranës ndaj Kastriotit në “Air Albania”. 4 gola për bardheblutë u përkthyen në 3 pikë dhe tashmë janë ata që kryesojnë tabelën e klasifikimit.
Kryeqytetasit e nisën vrullshëm dhe në të 14′-ën minutë fituan një 11-metërsh të cilën si fillim Xhixha e gaboi. Por Deliu ia doli të rikuperonte grushtimin e Salit dhe t’ia dorëzonte sërish Xhixhës që këtë herë e ndali topin në rrjetë.
Nuk ndalen tiranasit me sulmet e tyre që konkretizohen më tej me Kallakun teksa festivalin e golave në pjesën e parë e përmbyll Patrik.
Në fraksionin e dytë vulën e vë Nikqi 7 minuta nga fundi duke përfituar maksimalisht nga gabimet e shumta të krutanëve të cilët në sfidën e sotme nuk arritën të tregonin asgjë.
Ndërkaq pas ndeshjes për ‘Oversport’ trajneri i Kastriotit ka deklaruar se ka dhënë dorëheqjen: “Nuk dua të ndaloj shumë te ndeshja. Ajo patjetër është përgjegjësia ime kryesore për humbjen e sotme. Por nuk do hyj shumë në analizë të thellë taktike të ndeshjes. Po vij me njoftim të rëndësishëm për mua, jam takuar edhe me lojtarët dhe me drejtuesit e klubit, kam dhënë dorëheqjen time për arsye personale”. /S. Gjidiaj/